Lajme

Molliqaj: Kemi më pak kontroll në veri, shkak veprimet e gabuara të Qeverisë

12/20/2022 18:48
nga:Astrit Gashi

Serbët në veri ka 11 ditë që kanë bllokuar rrugët në pikat kufitare duke vendosur barrikada e duke penguar qarkullimin e lirë. Krejt kjo për të kundërshtuar arrestimin e një ish-polici serb nga Policia e Kosovës.

Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme që të hapen këto rrugë, gjendja vazhdon të jetë e njëjtë.

Një ish-bashkëpartiak i Kryeministrit Kurti po e fajsonë pikërisht atë për gjendjen e krijuar.

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, në një prononcim për Front Online tha se tani Kosova ka më pak kontroll në veri.

“Situata në veri ka treguar se veprimet e qeverisë së Republikës së Kosovës kinse për të vendosur reciprocitet në disa nga çështjet, dhe shtrirje të sovranitetit kanë qenë përpjekje edhe të gabuara të cilat kanë pasur edhe rezultat të dëmshëm. Sot kemi më pak kontroll në veri, sot kemi barrikada që po shtohen në çdo orë që kalon, në ndërkohë që pozicioni i bashkësisë ndërkombëtare është po ashtu shumë kritik karshi kërkesave të Asociacionit, ku tani nuk është kërkesë por është kushtëzim, jo vetëm i Serbisë, por edhe i Bashkësisë Ndërkombëtare për themelimin e Asociacionit”, u shpreh Molliqaj.

E, kjo sipas Molliqajt ka ndodh pasi Kurti përmes tensioneve ka dashur të bëjë të harrojë kompromiset që i ka bërë në Bruksel.

“E gjithë kjo ka ndodh për shkak që Kurti ka tentuar që përmes tensioneve me i shit koncesionet dhe kompromiset që i ka bërë në dialog përfshirë planin franko-gjerman pa njohje, dhe formimin e Asociacionit me marrëveshjen e fundit në Bruksel”, u shpreh Molliqaj.

Për Partinë Socialdemokrate, zgjidhja e problemeve me shtetin fqinj është ri përcaktimi i kufijve.

“Ne si parti Social Demokrate besojmë që problemi i veriut është problem politik kështu kemi deklaruar me vite për këtë çështje, dhe si rezultat i veprimeve kinse sovraniste kemi përfunduar në humbje të tërësishme të kontrollit atje. Pra, ne besojmë që zgjidhja mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë politike rrjedhimisht e adresojë edhe çështjen e veriut. Për ne, ri përcaktimi i kufijve është zgjidhja, pra shprehja e vullnetit të qytetarëve në veri dhe vullneti i qytetarëve të Luginës së Preshevës dhe bashkimi respektiv me shtetet e tyre është zgjidhje, cdo gjë tjetër është për lëngim dhe tensionim i situatës”, theksoi.

Deklaratën e Kurtit “Shqetësimi ynë [është] se heqja e këtyre barrikadave nuk mund të përjashtojë viktimat”, e ka komentuar edhe Molliqaj.

Ai deklarimet e tilla nga ana e Kurtit, i quan të pamatura.

“Deklarimet e Kurtit kanë qenë të gabuara, shpesh të pamatura dhe kanë prodhuar tension në veri, në njërën anë e kemi Listën Serbe dhe Vuciqin që çka do përgjigje që jep Qeveria e Kosovës dhe Kurti të thotë jo, prandaj besoj që nuk është rruga e duhur as tensionimi as veprimet të njëanshme, e as veprimet e kaluara që kanë sjell situatën deri këtu”, thotë Molliqaj.

Policia e Kosovës ka arrestuar më 10 dhjetor ish-policin serb, Dejan Pantiq nën akuzat se ka marrë pjesë në sulme kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.

Ndërsa si përgjigje, grupe serbësh në veri kanë ngritur barrikada.