Sipas raportimeve më të fundit nga Italia, është përkeqësuar gjendja e Gianluca Viallit i cili për herë të dytë në jetën e tij është duke luftuar kundër kancerit. Legjenda e kombëtares së Italisë dhe Juventusit ia doli më herët në vitin 2017 ta mposhtte sëmundjen e keqe, por ajo për fat të keq iu rikthye në vitin 2021.
Vialli që ishte pjesë edhe e stafit të trajnerit Roberto Mancini në triumfin e Italisë në Euro 2020, tashmë është përkeqësuar dhe është i shtruar në një spital të Londrës. Mamaja e Viallit, Maria Teresa, por edhe vëllai i tij Nino, udhëtuan së fundmi me urgjencë drejt kryeqytetit anglez për të qëndruar afër 58-vjeçarit në këtë moment kritik.
Kujtojmë se vetëm pak kohë më parë, Vialli u tërhoq nga detyra e tij në kombëtaren e Italisë pikërisht për arsye se i duhej të përkujdesej për shëndetin si dhe për të luftuar kundër së keqes teksa e gjitha bota e sportit është solidarizuar me ish-sulmuesin e famshëm.