Mislav Orsic shënoi një gol fenomenal për ta thelluar epërsinë e Kroacisë në 2:1 ndaj Marokut, gol ky i cili në fund doli të jetë i fitores dhe i medaljes së bronztë në Kampionatin Botëror “Katar 2022”.
Kroacia tani është kombëtarja e tretë më e mirë në botë, falë golit të Orsic, pas fitores sot ndaj Marokut e cila ia siguroi medaljen e tretë përgjatë gjashtë Botëroreve.
Pas ndeshjes, Orsic tejet i emocionuar e komentoi fitoren ndaj Marokut.
“Nuk mendoj se jam ende në dijeni të asaj që kemi bërë. Ndoshta pas disa ditësh do ta kuptoj ose kur të kthehem në Kroaci. Mendova se luajtëm një lojë të mirë, ishte emocionuese. Luftuam dhe e merituam të fitonim”, tha Orsic.
Marokenët patën mundësitë e tyre, por Orsic tha se shokët e tij të kombëtares ishin të kujdesshëm, dhe se tani duhet të festojmë të gjithë së bashku.
“Ne e dinim se ata do të kishin një shans, por e dinim se duhej të ishim kompakt, të kujdeseshim për kundërsulmet e tyre, ata prisnin që ne të humbnim topin dhe të përpiqeshim të na kontrollonin. Ne arritëm t’i mbronim të gjitha, ne e bëmë. Nuk shënoj më gol, tani festojmë të gjithë së bashku”, tha Orsic.
I pyetur se si është të shënosh golin e fitores, Orsic u përgjigj:
“Është goli më i vlefshëm i karrierës sime. Ia dedikoi golin familjes, prindërve, gruas, fëmijëve dhe të gjithë atyre që më qëndruan pranë. Tani do të festojmë së bashku”, tha Orsic.