Kryeministri Albin Kurti, javën e aplikimit për anëtarësim në BE e quajti javë të pazakontë, derisa kërkoi nga pesë shtetet anëtare të BE-së që ta njohin Kosovën, për siç tha, përshpejtim të integrimit ndërkombëtar të Kosovës.
Kurti këto deklarime i bëri në hyrje të mbledhjes së Qeverisë, derisa tha se edhe orari i mbledhjes është i pazakontë.
“Ky orar i mbledhjes është pak i pazakontë, mirëpo kjo javë nuk është aspak e zakontë, në fakt është e jashtëzakonshme, është javë në të cilën e patëm ditën historike të 15 dhjetorit kur e dorëzuam aplikimin për anëtarësim në BE. Orientimit evropian i dhamë cak, perspektivës evropiane i dhamë përgjigje, marrëdhënieve me BE-në i dhamë kapitull të ri”, u shpreh Kurti.
Derisa përmendi edhe propozimin e Parlamentit Evropian i cili gjatë po kësaj jave u pajtua për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës më së largu më 1 janar 2024.
“Rruga jonë integruese do të bazohet në meritat tona, por integriteti do të thotë edhe njohje, edhe ndërveprim, edhe ndërvarësi. Krahas meritës sonë, njohja nga 5 shtetet e BE-së sigurisht do të lehtësonte përshpejtimin e procesit të anëtarësimit. Njohje që mundëson anëtarësim dhe integrim ndërkombëtar”, u shpreh Kurti.
Kurti përmendi edhe miratimin e Projektligjit për Buxhetin në vlerë prej 3,2 miliardë euro, ndërsa falënderoi deputetët për miratimin e tij.
Ai tha se me këtë Projektligj do të ketë më shumë buxhet për arsimin, shëndetësinë, ushtrinë, bujqësinë, ekonominë e kulturën.


