Lajme

Qalaj: Heqja e barrikadave duhet të bëhet nga Policia e Kosovës me vendim të Qeverisë

12/16/2022 08:09
nga:Astrit Gashi

Po behën gati një javë që janë vendosur barrikadat në pikat kufitare, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Barrikadat janë vendosur nga qytetarët serbë, ku po pamundësojnë qarkullimin e veturave në këto zona.

Qytetarët që qarkullojnë në këto zona, po detyrohen të gjejnë rrugë alternative.

Deri më tani nuk është marrë asnjë vendim për largimin e këtyre barrikadave as nga KFOR-i e as nga Qeveria e Kosovës.

Ish-kreu i policisë së Kosovës, Rashit Qalaj për Front Online tha se për ta bërë policia largimin e barrikadave në veri të vendit, duhet edhe një vendim nga Qeveria.

Ai thotë se zhbllokimi i rrugëve në veri duhet të bëhet nga policia e Kosovës.

“Barrikadat në veri duhet gjithsesi të largohen nga organet e zbatimit të ligjit dhe rendi i zbatimit të ligjit në Kosovë është vetëm Policia e Kosovës. Policia e Kosovës ka kapacitete, ka mundësi, e ka vullnetin vetëm se i duhet një qëndrim politikë nga Qeveria e vendit, përndryshe nga askush tjetër unë konsideroj që nuk duhet të hiqen barrikadat përveç policisë. Situata që është krijuar tani është si pasojë e një vendimi mbi targat serbe që ka qenë një vendim i Qeverisë së Kosovës i ligjshëm dhe i bazuar në kushtetutë, mirëpo vendimi i saj ka shkaktu telashe, për shkak se nuk u dëgjua propozimi dhe kërkesa e SHBA-së për shtyrje dhe u krijua kjo situata”, u shpreh Qalaj për Front Online.

Qalaj tha se situata e krijuar në veri është si pasojë e vendimeve politike, dhe si e tillë kërkon edhe qëndrimin e Qeverisë për veprim ose jo të policisë.

“Meqenëse kjo situatë është krijuar nga një vendim politikë edhe po të isha drejtor, do të duhej një qëndrim i Qeverisë së Kosovës e pastaj është punë e institucioneve të ligjit të zbatojë të gjitha ligjet që janë në fuqi”, u shpreh Qalaj.

Arrestimi i ish-policit Dejan Pantiq, i dyshuar për sulmet ndaj zyrave të KQZ-së në veri, ka nxitur rikthimin e barrikadave në këtë pjesë të vendit.

Në maj të vitit 2019, asokohe kryeministër ishte Ramush Haradinaj, një tentativë e serbëve për t`i bllokuar rrugët kishte dështuar.

Për të parandaluar një aksion të Policisë së Kosovës, i cili kishte për qëllim arrestimin e disa policëve që dyshohet se ishin përfshirë në kontrabandë, serbët lokal kishin vendosur barrikada në rrugën për në Zubin Potok.

Njësitet speciale të Policisë së Kosovës nuk kishin pritur shumë dhe me autoblindat e tyre kishin goditur kamionët në rrugë, duke i rrokullisur ata anash rrugës.