Lajme

Ish- këshilltari i Thaçit: Osmani është epiqendra e përçarjeve, e ka shkelur tri herë Kushtetutën

12/15/2022 13:32
nga:Astrit Gashi

“Vjosa Osmani është epiqendra e përçarjeve në Kosovë”, thotë Artan Behrami, ish-këshilltar i Hashim Thaçit.

Mandje Behrami deklaron se “Osmani e ka shkelur tri herë Kushtetutën”.

Krejt kjo, pasi e para e shtetit gjatë fjalimit tradicional në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se “Koha e tregtarëve të kufijve ka perënduar”. Kjo ka qenë një akuzë që i bëhej Hashim Thaçit gjatë kohës sa ishte president.

”Pasi ka parë që mbështetja popullore e saj ka rënë për tokë, Presidentja Osmani i rikthehet teknikave primitive të akuzave kundër oponentëve politikë”, ka shkruar Behrami në Facebook.

Sipas tij, Osmani e ka lexuar fjalimin e saj me përplot urrejtje, duke shtuar se “është duke bërë tregti me sovranitetin e Kosovës.

“Je duke kërkuar vend në histori. Atë tashmë e ke fituar. Ti gjithmonë do të jesh në anën e kundërt të historisë së Kosovës”, ka përfunduar postimi i Behramit.