Kupa e Botës 2022

“Rekord i zi”, nuk do ta besoni se sa herë e preku topin sulmuesi i Marokut për 45 minuta lojë

12/15/2022 09:13
nga:Mergim Rreci

Maroku luftoi deri në minutat e fundit të ndeshjes dhe madje pati mundësinë për të shënuar në disa raste përballë Francës, por në fund eksperienca e “Gjelave” në të tillë turne ishte vendimtare me të besuarit e trajnerit Didier Deschamps që siguruan të dytën finale radhazi në Botëror në përpjekje për të ruajtur statusin e Kampionëve të Botës.

Ounahi, Ziyech, Amrabat apo edhe Boufal ishin lojtarët më “kërcënues” të kombëtares afrikane në gjysmëfinalen e zhvilluar përballë francezëve, ndërsa ai që zhgënjeu pritshmëritë e trajnerit Walid Regragui ishte sulmuesi Youssef En-Nesyri. Futbollisti që aktivizohet me Sevillan në La Liga u paralizua nga qendra e mbrojtjes së Francës, Varane dhe Konate teksa edhe statistikat konfirmojnë diçka të tillë.

En-Nesyri regjistroi një rekord negativ teksa në 45-minutat e parë të ndeshjes e preku topin në vetëm tre raste, pa ia dalë të ndihmojë skuadrën. Kjo statistikë e bën 25-vjeçarin të regjistrojë rekordin më negativ sa i takon Kupës së Botës, pasi En-Nesyri bëhet i pari lojtar në një Botëror që qëndron në fushë për 45 minuta apo edhe më shumë dhe e prek topin në vetëm tre raste.

Duke parë vështirësitë e lojtarit, trajneri Regragui e zëvendësoi atë në minutën e 65-të të pjesës së dytë, me En-Nesyrin që nuk mundi të përsëriste ndeshjen me Portugalinë aty ku me golin e tij u shndërrua në hero për Marokun duke i garantuar pjesëmarrjen në gjysmëfinale.