Lajme

Tragjedia në Kanalin Anglez, një shqiptar i mbijetuar, humbin jetën 4 emigrantë

12/14/2022 18:55
nga:Genita C

Një gomone me rreth 50 emigrantë u fundos në orët e para të mëngjesit kësaj të mërkure në ujërat e Kanalit Anglez.

Deri më tani raportohet se janë nxjerrë të vdekur nga ujërat 4 emigrantë, ndërsa 43 të tjerë kanë shpëtuar.

Në mesin e tyre ishte edhe një shqiptarë, i quajtur Denis, për të cilin u raportua se ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore. Ai është shpëtuar nga anija e peshkimit e cila dha ndihmën e parë për emigrantët që ishin në gomonen e çarë.

Ata u dërguan menjëherë në spital në gjendje të rënduar pasi qëndruan për një kohë të gjatë në ujëra me temperatura pranë ngrirjes.

Kombësia e viktimave është ende e paqartë, por shumica e të shpëtuarve janë emigrantë nga vendet afrikane dhe Lindja e Mesme.

Lidhur me ngjarjen e rëndë ka pasur reagime edhe nga qeveria britanike.

Kryeministri britanik Rishi Sunak pranoi incidentin në Kanalin Anglez në orët e para të mëngjesit teksa shprehu ngushëllimet e tij për jetët e humbura.

“Jam i sigurt që e gjithë Dhoma do të ndajë dhimbjen time për përmbysjen e një varke të vogël në Kanal në orët e para të mëngjesit të sotëm dhe humbjet tragjike të jetës njerëzore. Zemrat tona shkojnë për të gjithë ata që janë prekur dhe nderimet tona për ata që janë përfshirë në operacionin e gjerë të shpëtimit”, tha Sunak.

Gjithashtu edhe Sekretarja e brendshme britanike ka reaguar menjëherë pas ngjarjes tragjike. Ajo tha se të gjitha forcat janë angazhuar në vend dhe do të vazhdojë të informojë për situatën.

“Jam në dijeni të një incidenti shqetësues në Kanal këtë mëngjes, dhe jam duke u përditësuar vazhdimisht ndërsa agjencitë po përgjigjen urgjentisht për të përcaktuar faktet e plota. Mendimet e mia të përzemërta janë me të gjithë ata që janë përfshirë, shkroi ajo.

Operacionet e shpëtimit vijojnë prej orës 3 të mëngjesit, por shpresat për gjetjen e të mbijetuarve janë shuar.