Lajme

Reuters: Kosova, përkundër disa kundërshtimeve, do të aplikojë këtë javë për anëtarësim në BE

12/14/2022 10:43
nga:Astrit Gashi

Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian këtë javë, tha të martën kryeministri Albin Kurti, një proces që pritet të zgjasë vite, nëse jo edhe dekada, proces ky i cili do të varet edhe nga normalizimi i marrëdhënieve të saj me Serbinë, shkruan agjencia e lajmeve, Reuters.

Reuters përkujtoi se Kosova nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara dhe pesë shtete të BE-së – Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja – refuzojnë të njohin shtetësinë e e saj.

“Bashkimi Evropian është vend i paqes, sigurisë, barazisë dhe prosperitetit dhe prandaj vendi i Republikës së Kosovës është në këtë shtëpi të përbashkët si një vend që e do paqen”, tha Kurti gjatë një seance të qeverisë në Prishtinë.

Përpara çdo anëtarësimi të mundshëm, Kosova duhet të arrijë një marrëveshje me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve. BE po punon tashmë për një marrëveshje që shpreson se të dyja palët do të bien dakord brenda një viti, shkroi Reuters.

Agjencia më titje shtoi se protestuesit serbë në veri të Kosovës kanë bllokuar rrugët kryesore pas një shkëmbimi zjarri me policinë pas arrestimit të një ish-polici serb mes tensioneve në rritje midis autoriteteve dhe pakicës serbe të Kosovës.

E marta shënoi ditën e katërt të bllokadave dhe protestuesit nuk kanë treguar asnjë shenjë se do të largojnë kamionët e mbushur me zhavorr dhe makineri të tjera të rënda nga rrugët kryesore.

Oficerët e policisë së BE-së me automjete të blinduara patrulluan afër postbllokut në fshatin Rudare afër qytetit të Mitrovicës, ndërsa në anën tjetër të barrikadës serbët vendas digjnin dru për t’u ngrohur ndërsa temperaturat ishin nën zero me borë sporadike.

Pavarësia e Kosovës është njohur nga rreth 110 vende, por jo nga Serbia, Rusia apo Kina, ndër të tjera.

Ka ngurrim për të zgjeruar BE-në mes 27 vendeve anëtare të saj, por pushtimi i Ukrainës nga Rusia e ka shtyrë Unionin t’i kushtojnë më shumë energji përmirësimit të marrëdhënieve me gjashtë vendet e Ballkanit, Shqipërinë, Bosnjë dhe Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë.

Kosova është i vetmi vend në rajon që deri më tani nuk ka aplikuar për anëtarësim në BE.