Ish ministrja e jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, ka thënë se diplomacia kosovare duhet të aktivizohet dhe Kosova përmes MPDJ-së të dërgojë nesër një dokument me instruksione, informata, dhe pozicione të qarta rreth ngjarjeve të fundit në raport me Serbinë dhe bandat e tyre kriminale në veri tek të gjithë Ambasadorët/et e RKS në botë, raporton Gazeta Blic.
Ajo përmes një postimi në Facebook, ka thënë se ambasadorët mund të kenë qasje në informata sensitive për situatën në veri, derisa kanë kaluar verifikimin e AKI-së.
Ajo ka thënë se MPJD tani do të duhej të jetë në kulmin e aktivitetit e jo reaktivitetit diplomatik, për të përmbysur narrativën propaganduese e të rrejshme të Serbisë prej niveleve më të larta bilaterale e deri tek organizatat multilaterale, derisa ka listuar 5 gjërat që duhet t’i bëjë ajo.
Postimi i saj i plotë:
DIPLOMACIA KOSOVARE TË AKTIVIZOHET
Prishtina zyrtare përmes MPJD-së, do të duhej që nesër të dërgojë një dokument me instruksione, informata, dhe pozicione të qarta rreth ngjarjeve të fundit në raport me Serbinë dhe bandat e tyre kriminale në veri tek të gjithë Ambasadorët/et e RKS në botë. Meqë Ambasadorët kanë kaluar verifikimin e AKI-së, ata mund të kenë edhe qasje në informata sensitive për situatën në veri – të cilat do të mund dërgohen tek Ambasadorët tanë përmes komunikimit të sigurtë të MPJD-së gjithnjë me miratimin e AKI-së.
MPJD tani do të duhej të jetë në kulmin e aktivitetit e jo reaktivitetit diplomatik, për të përmbysur narrativën propaganduese e të rrejshme të Serbisë prej niveleve më të larta bilaterale e deri tek organizatat multilaterale:
Duke dorëzuar demarsh diplomatik tek MPJ-të e shteteve pritëse anembanë botës përmes Ambasadorëve tanë për kërcënimin flagrant të sigurisë që Serbia ka shkaktuar në veriun e Kosovës;
Duke dërguar pozicionin zyrtar të RKS-së rreth shkeljeve, mosrespektimit të marrëveshjeve, dhe rreth çështjeve të mëdha që mbajnë peng një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë tek të gjitha MPJ-të ku kemi qasje diplomatike;
Duke lobuar për rezolutë parlamentare tek deputetët e gjitha shteteve të BE-së, e cila do të parandalonte në të ardhmen ratifikimin(et) e pranimit të Serbisë si shtet anëtar i BE-së pa njohjen dejure të Kosovës në kufijtë e saj ekzistues;
Duke iniciuar dialog të ri diplomatik (përmes MPJD dhe Ministrisë së Mbrojtjes) me të gjitha shtetet anëtare të NATOs dhe lidershipin e NATOs për të nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi që do t’a zëvendësonte shkëmbimin e letrave të vitit 2013 të ish-KM Thaçi për mosdërgimin e FSK-së në veri pa bashkëveprim me KFOR-in;
Duke takuar shtetet anëtare të OKB-së përmes Ambasadës në Washington dhe Konsullatës në Nju-Jork për të sqaruar në detaje situatën e krijuar nga bandat kriminale të Vuçiqit, para se të depërtojë aty Serbia e UNMIKu (lexo: Rusia) me propagandën e gënjeshtrat e tyre për të ndërtuar farsën e re në seancën e radhës të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën.


