Lajme

Situata në veri, ambasada amerikane në Prishtinë dhe Beograd: Barrikadat të hiqen menjëherë

12/11/2022 18:48
nga:G B

Ambasadat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë dhe Beograd kanë reaguar lidhur me situatën në veri, raporton Gazeta Blic.

Në deklaratën e përbashkët, bëhet thirrje që të hiqen barrikadat e vendosura në ato zona.

Tutje, në deklaratë thuhet se arrestimi i një të dyshuari për plagosjen e një polici kosovar po përdoret si justifikim për situatën e krijuar atje.

Deklarata e përbashkët e ambasadës amerikane në Prishtinë dhe Beograd:

Shtetet e Bashkuara shprehin shqetësimin e tyre të thellë për situatën aktuale në veri të Kosovës. Ne e kuptojmë se autoritetet kosovare kanë arrestuar një individ të dyshuar për përfshirje në një sulm të dhunshëm ndaj autoriteteve kosovare të zbatimit të ligjit dhe komisionit zgjedhor. Ky arrestim po përdoret si justifikim për bllokime të paligjshme të rrugëve si dhe kërcënime dhe frikësime ndaj autoriteteve kosovare dhe popullatës lokale.

Ata që ngritën postblloqe të paligjshme duhet t’i çmontojnë ato menjëherë. Ne presim që t’i jepet fund të gjitha kërcënimeve të dhunës dhe frikësimit. Ne shprehim mirënjohjen dhe mbështetjen tonë të plotë për Forcën e NATO-s në Kosovë (KFOR) për përpjekjet e saj për të garantuar sigurinë dhe lirinë e lëvizjes dhe për Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX). Ne i dënojmë fuqishëm si të papranueshme të gjitha sulmet ndaj agjencive të sigurisë kosovare dhe ndërkombëtare.

I bëjmë thirrje të gjithëve që të ushtrojnë përmbajtje maksimale, të marrin masa të menjëhershme për të arritur një de-përshkallëzimin e situatës dhe të përmbahen nga aktet provokuese. Ne i nxisim palët të punojnë në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të zgjidhur çështjet shqetësuese.