Lajme

“Dosja Brezovica 1”- Pse s’u ndaluan ndërtimet pa leje, cilat janë përfitimet e inspektorëve dhe zyrtarëve të Shtërpcës në Brezovicë?

12/11/2022 15:24
nga:G B

Dimitrije Racicevic, në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit, Hysni Bajrami dhe Dragomir Milosavljeviq, që të dy si inspektorë komunal të ndërtimit në Drejtorinë e Urbanizmit të Komunës së Shtërpcës po akuzohen për keqpërdorime dhe përfitime lidhur me ndërtimet pa leje në Parkun Kombëtar “Sharri” në Brezovicë.

Sipas aktit akuzues të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Racicevic, Bajrami dhe Milosavljeviq, po akuzohen për dy vepra penale për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje ryshfeti.

Ndërsa, Sasha Milosavleviq akuzohet se nga fillimi i vitit 2010 e deri në fund të vitit 2014, si shef i Drejtorisë së Kadastrit në Komunën e Shtërpcës dhe si deputet i Kuvendit të Kosovës, ka kryer tri vepra penale, atë për marrje ryshfeti, ushtrim të ndikimit dhe për armëmbajtje pa leje.

Sa i përket veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, prokuroria të akuzuarit Racicevic, Bajramin dhe Milosavljeviq i akuzon se nga fillimi i vitit 2013 deri më 21 dhjetor 2021, nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare, duke mundësuar dhënien e lejeve ndërtimore me qëllim të përfitimit pasuror nga investuesit, ku secili aplikim për leje mbikëqyrej nga i pandehuri Bratislav Nikoliq, e i cili sipas prokurorisë akuzohet për 4 vepra penale lidhur me këtë çështje penale.

Akti akuzues i prokurorisë po i ngarkon të tre të pandehurit, Revicevic, Bajrami dhe Miloslavijeviq se nuk kanë ndërmarrë veprime ekzekutive për ndërprerjen e punimeve të vikend-shtëpizave që ndërtoheshin pa leje. Por, sipas aktakuzës, të dy ish-inspektorët e Shtërpcës, Bajrami dhe Miloslavijeviq në bashkëveprim me drejtorin e Drejtorisë së Urbanizmit, kanë marrë para në shuma prej 5 mijë euro.

Këta të fundit, akuzohen se i kanë marrë 14 mijë euro nga personi përgjegjës i ndërmarrjes “Quko Co”, të gjithë këtë shumë për ndërtimin e 10 vikend-shtëpizave për persona fizik si dhe për 6 vikend-shtëpiza në lagjen “Kashtanjeva”.

Sipas aktit akuzues, të gjitha këto leje ndërtimore ishin dhënë në kundërshtim me Ligjin për Ujërat  Kosovës, Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit, Ligjin për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis, Ligjit për Parkun Kombëtar “Sharri” si dhe në kundërshtim me Planin Hapësinor për Parkun Kombëtar “Sharri“.

Në aktakuzë, thuhet se me këto ndërtime në Parkun Kombëtar “Sharri” është bërë degradimi i papërmirësueshëm i mjedisit dhe janë rrezikuar pasuritë e mbrojtura natyrore në Parkun Kombëtar “Sharri“,  zona e Brezovicës.

Po ashtu, për këto veprime të akuzuarit Racicevic, Bajramin dhe Milosavljeviq po akuzohen se kanë kryer edhe veprën penale të “Marrjes së ryshfetit”, se kanë përfituar në mënyrë të drejtpërdrejtë, me qëllim që të mos veprojnë sipas detyrave zyrtare.

Tutje, sipas aktit akuzues, Dimitrije Racicevic akuzohet edhe për tri vepra të tjera penale, për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar, marrje ryshfeti dhe armëmbajtje pa leje.

Lidhur me veprën penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar, Racicevic akuzohet se me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, për lëshimin e dy lejeve ndërtimore, ka marrë një veturë “Shkoda Karavan” në vlerë prej 9 mijë euro në autosallonin “Alberti” në Çagllavicë, të paguara nga personi përgjegjës i NN “Quka- CO”.

Po ashtu, për këto veprime i akuzuari Racicevic, po akuzohet se ka kryer edhe veprën penale të “Marrjes së ryshfetit”, se ka përfituar në mënyrë të drejtëpërdrejtë me qëllim që të mos veprojë sipas detyrave të tij zyrtare.

Po ashtu, i njëjti sipas aktit akuzues po akuzohet për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, se më 21 dhjetor 2021 me rastin e kontrollit nga policia, i është gjetur një revole e tipit “Bereta” e kalibrit 7.65 mm me 8 fishekë, një revole e kalibrit 7.62 mm me 8 fishekë, dy karikatorë, 168 fishekë të kalibrit 7.62 mm, 51 fishekë të kalibrit 7.65 mm, një palë pranga, 3 fishekë të kalibrit të panjohur, dy gëzhoja të kalibrit 7.62 mm, një pushkë gjuetie dhe 25 fishekë të pushkës së gjuetisë me jelek për vendosje të fishekëve, të gjitha këto në kundërshtim me nenin 5 të Ligjit mbi Armët.

Ndërsa, sipas dispozitivit IV, pika 1 të aktit akuzues, aktakuza e ngarkon Sasha Millosavleviq se nga fillimi i vitit 2010 deri në fund të vitit 2014, si shef i Drejtorisë së Kadastrit në Komunën e Shtërpcës dhe si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka kërkuar dhe pranuar para nga personi përgjegjës i NN “Quka-Co” që të veprojë në kundërshtim me detyrat e tij zyrtare.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Millosavleviq për sigurimin e një leje ndërtimore kishte kërkuar shumën prej 10 mijë euro, duke përfituar kështu shumën e përgjithshme prej 70 mijë euro.

Ai sipas prokurorisë akuzohet se për dhënien e lejeve ndërtimore, ka përfituar për secilën nga 10 mijë euro për personat Bajram Gushnica, Fehmi Imeri, Nexhmi Kastrati, Fatmir Salihi, ndërsa 30 mijë euro nga Hysein Ajdini, për ndërtimin e hotelit “Rock” në zonën e dytë të Parkut Kombëtar “Sharri”.

Për këto veprime, Millosavleviq po akuzohet se ka kryer veprën penale “Marrjes së ryshfetit” nga neni 428 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Po ashtu, Millosavleviq po akuzohet se ka kryer edhe veprën penale “Ushtrimi i ndikimit”, pasi që sipas aktakuzës, ka kërkuar dhe pranuar para që të ushtrojë ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e personit zyrtar.

I njëjti, sipas aktit akuzues po ngarkohet edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” se më 21 dhjetor 2021 me rastin e kontrollit nga policia, i është gjetur një revole e tipit TT dhe 18 fishekë dhe një pushkë gjuetie, të gjitha këto në kundërshtim me nenin 5 të Ligjit mbi Armët.

Lidhur me këtë çështje penale në rastin “Brezovia 1”, akuzohen edhe persona të tjerë, për të cilët  “Betimi për Drejtësi” në vazhdim do të sjellë detaje nga akti akuzues.

“Betimi për Drejtësi”, më 20 tetor 2022 ka raportuar ekskluzivisht për listën prej 75 pronave të sekuestruara në aksionin e fundit të prokurorit Rasim Maloku në Brezovicë, e cila përmban emra pronarësh të gjykatësve të të gjitha niveleve, politikanëve, biznesmenëve si dhe qytetarëve të tjerë.

Më pas, gjykatësi Shaqë Curri ka konfirmuar se gjykata ka aprovuar kërkesën e prokurorit, duke urdhëruar sekuestrimin e përkohshëm të 75 pronave në Brezovicë.

Më 12 nëntor 2022, “Betimi për Drejtësi”  ka sjellë një hulumtimin ekskluziv për ndikimet në rastin e famshëm “Brezovica”, ku janë sekuestruar villa me pronarë politikanë, gjyqtarë e biznesmenë, ku prokurori i rastit, Rasim Maloku ka dhënë detaje rreth vazhdimit të hetimeve në këtë rast.

Pas hulumtimit të “Betimi për Drejtësi” lidhur me ndikimet në rastin “Brezovica”, ka reaguar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila tha se hetimet që po zhvillohen në këtë rast janë ndër më të rëndësishmet në luftën kundër korrupsionit që nga shpallja e pavarësisë dhe se keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe ushtrimit të ndikimit për të penguar proceset hetimore, duhet t’i japim fund sa më shpejtë.

Kurse, më 2 dhjetor 2022, Prokuroria Themelore në Ferizaj ka raportuar se ka vazhduar aksioni i sekuestrimit të villave në Zonën e III-të të Brezovicës.