Kupa e Botës 2022

Noppert i trembet trajnerit të ri: Kam frikë se ishte ndeshja ime e fundit me kombëtare

12/11/2022 14:44
nga:E K

Andries Noppert nuk kishte veshur asnjëherë më parë fanellën e kombëtares holandeze përpara nisjes së Botërorit.

Trajneri Louis Van Gaal e befasoi portierin duke e grumbulluar në Katar 2022 dhe duke e aktivizuar si titullar në pesë takimet që zhvilluan tulipanët.

“Gjenerali” u largua pas eliminimit nga Argjentina dhe në vendin e tij do të ulet Ronald Koeman. Noppert ka ndjesinë se trajneri i ri nuk do e aktivizojë më si titullar mes shtyllave të portës së kombëtares holandeze.

Në një prononcim për NU, 28-vjeçari foli rreth së ardhmes së tij: “Ndoshta ajo me Argjentinën ishte ndeshja ime e fundit me Holandën. Më duhet të them të vërtetën: ky ishte mendimi që më qarkullonte në mendje pas eliminimit.

Që i vogël ëndërroja të përjetoja emocione të tilla, por me kalimin e viteve i humba shpresat dhe gjithçka filloi të bëhej më e largët. I jam mirënjohës trajnerit Van Gaal, pasi ishte ai që bëri realitet ëndrrën time të fëmijërisë.

Me një trajner tjetër ndoshta nuk do ta kisha pasur këtë shans”, theksoi “gardiani” që aktivizohet në Eredivisie me skuadrën e Heerenveenit.