Lajme

Këshilltari i Kurtit për shtyrjen e zgjedhjeve në veri fajëson qeveritë e kaluara dhe Edi Ramën

12/10/2022 18:08
nga:Astrit Gashi

Ideologu i Lëvizjes Vetëvendosje, Elvis Hoxha, njëherësh edhe këshilltar politik i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ua ka hedhur fajin qeverive të kaluara dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës, për shtyrjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme komunale në komunat veriore.

Sipas këshilltarit të Kurtit, qeverisjet e kaluara i ka dhënë kohë Beogardit me, siç i quajti ai, marrëveshje të qeta.

“Regjimi i shkuar i Kosovës i dha shumë kohë e mundësi imazhi Beogradit me marrëveshje të qeta e të pabazuara”, ka thënë Hoxha në ‘Facebook’.

“Kryeministri Rama i dha shumë mundësi Beogradit me tezën jugosllave të Ballkanit të hapur”, ka përfunduar postimi i tij.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar përgjatë së shtunës se pas konsultimit me subjektet politike, ka marrë vendim qe zgjedhjet e jashtëzakonshme komunale në katër komunat veriore do të shtyhen deri më 23 prill të 2023-ës. Data paraprake për mbajtjen e tyre ishte 18 dhjetori i këtij viti.