Lautaro Martinez, autori i penalltisë vendimtare për kalimin e Argjentinës në gjysmëfinale, komentoi për Rai Sport mbrëmjen e djeshme ndeshjen kundër Holandës.
“Ishte penalltia e fundit dhe peshonte shumë, jam i lumtur që shënova, ishte fitore e rëndësishme. Fitorja e Kupës së Botës? Shpresojmë se po punojmë drejt saj dhe ky është qëllimi ynë. Por tani duhet të fokusohemi në ndeshjen e radhës kundër Kroacisë dhe të përgatitemi në mënyrën më të mirë të mundshme”, përcjell GazetaBlic Sport.
Sulmuesi i Interit më pas zbuloi se ka vuajtur nga disa probleme fizike në javët e fundit.
“Javët e fundit kam pasur shqetësime në kyçin e këmbës, kam punuar shumë për t’u rikthyer në formë dhe për t’u rikuperuar. Sot (dje) më duhej të nisja nga pankina, por jam shumë i kënaqur me punën që po bëj. Nuk kemi mbaruar ende, tani më duhet të vazhdoj të punoj, të rikuperohem dhe të mendoj për Kroacinë”, përfundoi ai.
/GazetaBlic Sport/