Mesut Ozil i ka dalë në mbrojtje ish-bashkëlojtarit të tij te Real Madridi, Cristiano Ronaldo.
Portugezi, përpos formës jo të mirë, po përballet edhe me një presion të vazhdueshëm medial.
Këtë reagim Ozil e bëri përmes rrjetit social, Instagram.
“Nuk e di se nga rrjedh tërë ky negativitet për Cristiano Ronaldon. Mediet po tentojnë thjesht të marrin klikime dhe të thonë se kujt i ka përfunduar karriera, thjesht për të marrë vëmendje përmes tij (Ronaldos), duke tentuar që ta bëjnë të duket keq.
Ai së shpejti do t’i mbushë 38-vjet – ku është surpriza që ai nuk mund t’i shënojë 50 gola? Secili fans i futbollit duhet të jetë i lumtur që ka mbërritur ta shohë për 20 vite të luajë në nivele të larta.
Të gjithë duhet të tregojnë respekt për njërin nga atletët më të mirë në histori”, përfundoi Ozil.
Ozil ka qenë kaherë njëri prej përkrahësve më të mëdhenj të Ronaldos dhe karrierës së tij.