Kroacia ka marrë dritën jeshile për të hyrë në zonën Shengen. Lajmi u raportua si lajm i fundit nga të gjitha mediat kroate, duke thënë se vendi do të gjendet në zonën më të madhe pa kufij nga 1 janari 2023.
Hyrja e Kroacisë në zonën Shengen u votua individualisht, ndërsa Bullgaria dhe Rumania do të votohen më vonë dhe pritet që Austria të vërë veton ndaj këtyre vendeve. Kjo do të thotë se në ditën e parë të vitit të ardhshëm, Kroacia do të heqë rampat nga kufiri me Slloveninë dhe Hungarinë.
Deri në momentin e fundit pati një dramë rreth votimeve se cili shtet apo shtete do të hynin në zonën Shengen, sepse Kroacia kishte shanset më të mira për të, ndërsa Bullgaria dhe Rumania ishin të varur në fije, dhe padyshim që janë ende.
Në fillim të takimit të sotëm të ministrave të brendshëm të vendeve anëtare të BE-së, Austria njoftoi se do të vërë veton ndaj hyrjes së Bullgarisë dhe Rumanisë. Holanda tha se do të mbështeste hyrjen e Rumanisë, por jo atë të Bullgarisë.
Në një moment mediat kroate raportuan se edhe Gjermania dhe Luksemburgu u rebeluan, duke kërcënuar se do të bllokojnë edhe Kroacinë, nëse Rumania dhe Bullgaria nuk hyjnë, pra nëse Austria nuk heq veton.


