Lajme

Imeri: Nëse mbahen zgjedhjet në veri, do krijohen kriza të reja në vend

12/07/2022 21:53
nga:Astrit Gashi

Analisti, Dorajet Imeri, vlerësoi se Kosova ka bërë hapa të gabuar në qasjen e saj ndaj Veriut.

Madje, ai konsideroi se duhet të merret parasysh shtyrja e zgjedhjeve atje, pasi siç tha ai, nëse ato mbahen, do krijohen kriza të reja në vend.

“Kosova ka gabuar në disa hapa në qasjen e saj ndaj veriut, prandaj situata e tanishme është reflektim i qasjes tonë. Duhet të merret parasysh shtyrja e zgjedhjeve deri në një moment të caktuar, ndoshta kur do ishte më pozitive mbajtja e tyre. Ne kemi grupe të qarta të krimit të organizuar në veri, e të cilat e kanë qëllim të vetëm destabilizimin e veriut të Kosovës. Prandaj, nëse eventualisht ka synime që të mirëmbahen zgjedhjet, konsideroj se mund të hyjmë në një cikël të re krizash, qofshin ato edhe në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve. Ne duhet tu shmangemi kësaj për një kohë dhe ndoshta do duhej të ishte një presion më të madh ndaj Beogradit”, deklaroi Imeri në Tëvë1.

Kujtojmë se Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të mund të vendosë për shtyrjen e datës së zgjedhjeve në veri të Kosovës, vetëm nëse për këtë çështje do të japin vlerësim organet e sigurisë dhe ato zgjedhore.