Lajme

Demhasaj: Qeveria nuk po do ta pranojë fuqinë që Lista Serbe e ka në veri të Kosovës

12/07/2022 21:51
nga:Astrit Gashi

Pas shpërthimit të fundit në Mitrovicë të Veriut, analisti Arton Demhasaj thotë se situata aktuale po e demanton atë se çfarë ka thënë sot në një konferencë për media ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Sipas Demhasajt, Qeveria ose MPB-ja nuk po duan ta pranojnë “fuqinë që Lista serbe” e ka në veri të vendit.

“Pra në një farë mënyre, edhe dje ka ndodh shpërthimi, edhe sot po ndodhin shpërthime, para disa dite kanë ndodhur djegie të veturave të qytetarëve serbë që kanë pranu me i konvertu veturat, dhe asnjë prej këtyre rasteve, Policia jonë nuk ka mbërri me ofru siguri, as nuk ka mbërri me parandalu ndonjërin prej këtyre akteve, dhe me gjasë as nuk ka me mujt me mbërri me i parandalu sa është kjo situatë. Dhe kjo është shumë e qartë. Në një farë mënyre, si duket Qeveria ose Ministria e Punëve të Brendshme nuk po don me pranu fuqinë që Lista serbe e ka në atë pjesën e veriut të Kosovës”, theksoi ai në Tëvë 1.

Demhasaj shtoi se “fuqia e Listës serbe është vërtetuar me vite”.

Një shpërthim tjetër ka ndodhur sonte në Lagjen e Boshnjakëve në veri të Mitrovicës. Përpos Policisë së Kosovës, në vendngjarje janë edhe disa vetura të EULEX-it.