Oda e Përmbaruesve Privat të Kosovës, e quan të paligjshëm, të ngutshëm e të padobishëm vendimin e Ministrisë së Drejtësisë, për suspendimin e përmbaruesit privat të Telekomit të Kosovës, Ilir Mulhaxha.
Kështu është thënë në një deklaratë për media nga Oda e Përmbaruesve Privat të Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ministria e Drejtësisë (MD) më 6 dhjetor 2022 përmes një vendimi ka suspenduar përmbaruesin privat lir Mulhaxha, deri në një vendim të Komisionit Disiplinor, pas propozimit të “Telekom” Sh.A në cilësi të debitorit, për propozim të masës disiplinore ndaj Mulhaxhës, lidhur me rastin mes kësaj kompanie dhe “Dardafon.net” LL.C, në cilësi të kreditorit.
Në reagimin e Odës së Përmbaruesve Privat, thuhet se ky vendim, është sa shqetësues aq edhe alarmues, sa rrezikues aq edhe shantazhues, sa paragjykues aq edhe gjykues politik.
Sipas Odës, Ministria e Drejtësisë nuk ka kompetencë të nxjerrë vendime të tilla, përderisa ato nuk rekomandohen nga Komisioni Disiplinor.
“Oda beson se parimet dhe procedurat e drejtësisë ashtu si edhe procedurat tjera përkatëse duhet të respektohen nga të gjithë dhe në çdo kohë. Oda e ka parasysh faktin se Ministria e Drejtësisë ka kompetencat e saj të caktuara, por Oda konsideron se ne vendimin konkret Ministria e Drejtësisë thjeshtë ka shkelur ligjin” thuhet në këtë deklaratë.
Tutje, përmes kësaj deklarate Oda e njofton Ministrinë e Drejtësisë, se në Republikën e Kosovës ekziston Ligji për Procedurën Përmbarimore, përkatësisht neni 369 i tij, i cili nen mandaton Komisionin Disiplinor ( e jo Ministrinë e Drejtësisë) për ta zbatuar procedurën disiplinore ndaj përmbaruesit.
“Oda konsideron se dje Ministria e Drejtësisë e vërtetoi se përmes vendimit në fjalë, ashtu si edhe disa vendimeve tjera të mëparshme, me dy këmbë ka hipur në qafën e sistemit të përmbarimit, i ka lëkundur themelet e sistemit të drejtësisë dhe ia ka vënë lakun në fyt sistemit të përmbarimit”, thuhet në këtë deklaratë.
Sipas Odës, tani nuk ka nevojë të ekzistojë as Komisioni Disiplinor i vet Ministrisë së Drejtësi, as procedura disiplinore për shqyrtimin e përgjegjësisë, as procedurat gjyqësore për shqyrtimin e fakteve, as siguria juridike e palëve në procedurë, as garancitë kushtetuese për gjykim të drejtë, sepse sipas tyre, tani Ministria e Drejtësisë i ka marrë në dorë të gjitha këto funksione.
“Dje, Ministria e Drejtësisë vërtetoi se vet është vënë në pozitën: denoncues, paragjykues, gjykues, ekzekutues dhe festues i situatave të paqena si dhe insinuatave me qëllime të dyshimta”, thotë tutje kjo deklaratë.
Përmes kësaj deklarate, Oda e Përmbaruesve të Kosovës, po kërkon mbrojtje nga të gjithë ata që besojnë se në Republikën e Kosovës drejtësia duhet të jetë vlerë e shoqërisë e jo levë e pushtetit.


