Lajme

Ministria e Drejtësisë suspendon përmbaruesin privat të Telekomit, familjar i deputetes së VV-së

12/06/2022 15:29
nga:G B

Zëvendësministri i drejtësisë, Blerim Sallahu, ka njoftuar se ka suspenduar përmbaruesin privat që deri pasnesër do ta përmbaronte një borxh mbi 6 milionë euro të Telekomit, raporton Gazeta Blic.

Ai ka thënë se ka kaluar koha kur financat e Telekomit shërbenin si plaçkë për t’i pasuruar orkestruesit e tenderëve që lidheshin qëllimisht në disfavor të Kompanisë!

Përmbaruesi privat është Ilir Mulhaxha, që është familjar i deputetes së VV-së, Fatmire Mulhaxha Kollçaku.

Postimi i tij i plotë:

Ka kaluar koha kur financat e Telekomit shërbenin si plaçkë për t’i pasuruar orkestruesit e tenderëve që lidheshin qëllimisht në disfavor të Kompanisë!

Në bazë të kompetencave ligjore, sapo nënshkrova Vendimin për suspendimin e përmbaruesit privat që deri pasnesër do ta përmbaronte një borxh mbi 6 milionë euro (të llogaritur gabimisht) të Telekomit.

Jemi qeverisje e ruajtjes dhe mbrojtjes së financave publike që derivojnë nga tatimet e qytetarëve tanë!