Avokati Yll Zekaj, gjatë tryezës së rrumbullakët ku u prezantua raporti “Parashkrimi i Korrupsionit”, i cili është rezultat i monitorimit sistematik që Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ia bën sistemit gjyqësor dhe atij prokurorial, tha se beson që përbërja e re e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), është më e përgatitur që të mos ketë zvarritje të lëndëve.
“Po besoj që përbërja e re e Këshillit Gjyqësor është më e përgatitur në këtë raport që faktikisht mos me ndiku në zvarritjen e lëndëve”, tha avokati Zekaj.
Tutje Zekaj tha se ky raport tregon se cila është detyra e shoqërisë civile në sistemin e drejtësisë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Ky është një raport i mrekullueshëm i asaj se çka është detyra e shoqërisë civile që është një lloj gardiani i sistemit të drejtësisë, faktikisht është një pasqyrë e rasteve të cilat janë parashkruar e do të na parashkruhen në tri vitet e fundit”, shtoi Zekaj.
Ndër të tjera, ai tha se për këtë situatë të cilën e kemi, është përgjegjës vetëm sistemi gjyqësor.
“Pajtohem plotësisht me atë që e tha gjyqtari më herët që në këtë situatë të cilën e kemi është përgjegjës vetëm sistemi gjyqësor, për shkak se në parashkrimin e rasteve ndërlidhet komplet një sistem për shkak të mosfunksionimit të një hallke që kemi mosfunksionim të gjithë sistemit e si rezultat të tyre kemi gjithë këtë numër të parashkruar të rasteve, e gjithashtu të mosnxjerrjes së një vendimi përfundimtar për të akuzuarit nëse të njëjtit janë fajtorë apo jo”, tha Zekaj
I njëjti shtoi se ka shumë raste për të cilat nuk është nxjerrë një vendim përfundimtar.
“Nëse e shikojmë këtë pasqyrë, pra këto raste që janë nxjerrë nga ky raport nga këndi i mbrojtësit apo avokati. Unë muj me të drejtë me theksu se kemi persekutim të të gjithë të akuzuarve në këtë publikim, e të cilët për dhjetë vite apo pesëmbëdhjetë vite kanë qenë të akuzuar dhe të cilët nuk është arrit me u dhanë një vendim përfundimtar nëse të njëjtët janë fajtorë për veprat korruptive të cilat i ka akuzu prokuroria apo të njëjtit janë të pafajshëm”, shtoi Zekaj.
I njëjti tha se ka raste kur janë shkatërruar reputacione pa pasur një vendim përfundimtar.
“Të njëjtit kanë bartur pasoja domethënë kemi një shkatërrim të reputacionit të tyre pa një vendim përfundimtar nga sistemi i drejtësisë, kurse nëse e shohim nga këndi i sistemit të drejtësisë ka dështuar që të gjitha këto pretendime të prokurorisë për ratstet kryesore korruptive në vend me nxjerrë një vendim përfundimtar që të njëjtit të bartin pasoja për veprimet e tyre nëse të njëjtit provohen në procedurën penale”, shtoi Zekaj.
Ndër të tjera, ai tha se tash Këshilli Gjyqësor duhet të mos i bëjë gabimet e njëjta si Këshilli Gjyqësor i mëparshëm.
“Po besoj që përbërja e re e Këshillit Gjyqësor është më e përgatitur në këtë raport që faktikisht mos me ndiku në zvarritjen e lëndëve”, shtoi avokati Zekaj.
Në këtë tryezë, është prezantuar raporti me titull “Parashkrimi i Korrupsionit”, i cili është rezultat i monitorimit sistematik që Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) i bën sistemit gjyqësor dhe atij prokurorial të Republikës së Kosovës.
Ky organizim bëhet në kuadër të Javës Kundër Korrupsion, e cila organizohet nga Koalicioni i OJQ-ve. Pjesë e këtij koalicioni janë 6 organizata: Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Lëvizja Fol, Iniciativa për Progres, Çohu dhe Colombus.
Në këtë organizim janë ftuar akterët relevant nga sistemi gjyqësor dhe ai prokurorial dhe akterë të tjerë ndërkombëtar në Kosovë, me qëllim të sensibilizimit në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies sa i përket luftës kundër korrupsionit.
Motoja e “Javës Kundër Korrupsion për vitin 2022”, e Koalicionit të OJQ-ve është “Bashkë Kundër Korrupsionit”.


