Lajme

Qeverisë Kurti i kërkohet të dyfishojë buxhetin për vitin 2023: Po varfërohet vendi

12/05/2022 12:21
nga:Genita C

Kryetari i Aleancës Kosovare për Biznese, Agim Shahini thotë se arsyeja kryesore që është rritur buxheti i Kosovës, janë rritja e çmimeve dhe inflacionet dhe sipas tij, kjo rritje është vetëm me shifra.

Në një prononcim për Gazeta Blic, Shahini ka kritikuar Qeverinë Kurti ku sipas tij ka rreth 700 milionë balancë bankar të pashfrytëzuar.
Këto mjete të pashfrytëzuara, AKB-ja i quan tepricë në shtet.

“Buxheti i Kosovës është rritur në vitin 2023, por aktivitetet ekonomike i kanë dhënë kondititet Qeverisë të planifikojë buxhet edhe më të madh. Rritja e çmimeve dhe inflacionet ka ndikur drejtpërdrejt në rritjen e buxhetit edhe në këtë vit. Ka rreth 700 milionë balancë bankar të pashfrytëzuar në buxhetin dhe këto mjete sipas AKB-së janë tepricë në shtet sepse kur nuk je në dije se ku duhet t’i shpenzosh, atëherë nuk duhet t’i marrë nga qytetarët”, thotë Shahini.

Sipas Shahnit, nëse marrim parasysh zhvillimin e blerjes atëherë i bie që ky buxhet ka mbetur i njejtë, si vitet e kaluara.

Shahini kritikon Qeverinë, që me buxhetin e vitit 2023 nuk iu është ofruar asnjë mbështetje ekonomisë dhe bizneseve vendore. Kjo, sipas tij e varfëron edhe më shumë vendin.

“Për vitin 2023, vlerësojmë se deri më tani kjo rritje është më e madhja në historinë e Kosovës, por nëse merren faktorët e inflacionit del se ky buxhet me shifra është rritur kurse me zhvillim të blerjes, pothuajse ka mbet i njejtë. Për të kritikuar është edhe fakti që buxheti për vitin 2023, nuk ka planifikuar ndonjë mbështetje të madhe për ekonominë dhe bizneset vendor, por është fokusuar në shërbime, në paga e mëditje. Këto nuk e rritin buxhetin, përkundrazi e varfërojnë atë”, thotë Shahini.

Shahini shton se, Qeveria duhet ta dyfishojë këtë buxhet të planifikuar sepse siç thotë ai edhe shumë prej 100 milionë euro e planifikuar për komunat, nuk është e mjaftueshme.

“Sa i përket paralajmërimit të kryministrit Kurti, për investimin e komunave rreth 100 milionë euro. Kjo është mbështetja më e vogël që mund të presim, sepse kur këto mjete ndahen për 38 komuna, atëherë çdo komune i bie përafërsisht 2 milionë e gjys dhe dihet se të gjitha komunat, nuk marrin mjetet e njejta. Qeveria e vendit këtë buxhet duhet ta dyfishojë, sepse kryesisht qytetarët do të ballafaqohen me shërbime e infrastrukturë komunale. Ky është buxhet i vogël”, tha Shahini për GazetaBlic.

Kujtojmë se, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se buxheti i vitit 2023 për komunat parashihet të jetë më i lartë për rreth 100 milionë euro në krahasim më vitin e kaluar.

 

Ndarja e buxhetit për komunat – Kryetarët: Qeveria na la me ‘gishta në gojë’, do t`i drejtohemi Kushtetueses