Lajme

Haxhiu: Vetëm me bashkim forcash mund ta fitojmë luftën ndaj fenomenit të dhunës, i cili po merr jetë vajzash e grash

12/03/2022 21:06
nga:Gazeta Blic

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në një intervistë ekskluzive për “Blic Interview” ka folur për dy vrasjet makabre të dy grave, që ndodhën në Kosovë brenda një jave.

E para e drejtësisë në vend, ka theksuar se fenomeni i vrasjes së vajzave dhe grave në Kosovë është jashtëzakonisht shqetësues, raporton Gazeta Blic.

Ajo në emisionin “Blic Interview” më Astrit Gashin ka theksuar se lufta ndaj fenomenit të dhunës dhe vrasjes së vajzave e grave nga burrat, mund të fitohet vetëm me bashkimin e forcës së institucioneve dhe me mbështetjen nga shoqëria.

“Njëjtë sikurse edhe qytetarët e Republikës së Kosovës, jemi të shqetësuar që brenda pesë ditëve kanë ndodhur dy vrasje. Madje, në ditën kur ne filluam fushatën më 25 nëntor, teksa po shkonim në një prej aktiviteteve, në një shkollë fillore, kuptuam lajmin se një grua ishte vrarë nga bashkëshorti i saj”, ka theksuar ajo.

Dhe, ka shtuar ajo, pas pesë ditësh, ishte një vrasje tjetër e rëndë, një vrasje e dyfishtë, sepse siç u shpreh Haxhiu, gruaja që u vra nga ish- burri, priste të sillte në jetën fëmijën e saj.

Haxhiu ka theksuar se Qeveria dhe Ministria e Drejtësisë pa mbështetjen e sistemit të drejtësisë, e kanë të pamundur në luftimin e këtij fenomeni, tepër shqetësues për shoqërinë kosovare.

“Kjo na bënë që të kuptojmë se pavarësisht veprimeve që janë ndërmarrë nga institucionet, pavarësisht punës që ka bërë Ministria e Drejtësisë për një vit e gjysmë, ky fenomen është shprehur jashtëzakonisht shumë në shoqërinë tonë dhe duhet punë e përpjekje e jo vetëm dy apo tri institucioneve, por duhet bashkim forcash, bashkim institucionesh , por edhe në shoqërinë tonë, në mënyrë që ta fitojmë luftën kundrejt këtij fenomeni, i cili po merrë jetë vajzash e grash”, ka theksuar ajo.