I pyetur rreth vlerësimeve se Qeveria e Kosovës ka shkelur Kushtetutën me emërimin e Nenad Rashiqit Ministër për Komunitete dhe Kthim, Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka thënë se “emërimi i Rashiqit në këtë pozitë nuk i plotëson kriteret kushtetuese”.
“Leximi ynë paraprak është se emërimi nuk i plotëson kriteret kushtetuese – por kjo i takon Gjykatës Kushtetuese të Kosovës ta përcaktojë”, tha zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE) Peter Stano në një konferencë për media.
Stano shtoi se respektimi i Kushtetutës së Kosovës është pjesë kyçe e sundimit të ligjit dhe se Brukseli pret që Kosova t’u përmbahet këtyre parimeve.
“BE i bën thirrje Kosovës që të sigurojë që të gjithë hapat e nevojshëm procedural gjatë emërimit të ministrave që përfaqësojnë komunitetin jo-shumicë të respektohen plotësisht. Kjo është edhe më e rëndësishme duke pasur parasysh situatën tashmë të brishtë të sigurisë në terren,” tha Stano.
Zëdhënësi i Brukselit shtoi se çdo veprim që do të çonte në rritje të tensioneve duhet të shmanget dhe u bëri thirrje palëve që urgjentisht të punojnë për kthimin e serbëve të Kosovës në të gjitha institucionet e Kosovës, në përputhje me marrëveshjet detyruese për dialogun.
Gjatë ditës nga Qeveria e Kosovës në një përgjigje për Reporteri.net kanë thënë se Kushtetuta e vendit i jep kompetencë të plotë Kryeministrit Kurti që të bëjë ndryshime në kabinet qeverisës pa pëlqimin apo aprovimin e Kuvendit.
“Kushtetuta e vendit i jep kompetencë të plotë Kryeministrit [Albin] Kurti që të bëjë ndryshime në kabinetit qeverisës pa pëlqimin apo aprovimin e Kuvendit. Duke e njohur si shef të pakontestuar të Qeverisë, kushtetuta i jep autoritetin Kryeministrit që të ndërrojë një ministër pa pëlqim të Kuvendit, me qëllim sigurimin e zbatimit të politikave të tij nga kabineti qeveritar. Procedura e përzgjedhjes së ministrave që vijnë nga komunitetet përmes aprovimit të tyre në Kuvend edhe nga deputetët e komuniteteve jo shumicë, sipas nenit 96, është respektuar gjatë votimit të Qeverisë Kurti 2”, u tha në përgjigjen e Qeverisë së Kosovës për Gazetën Online Reporteri.net.
Lista Serbe e ka kundërshtuar emërimin e Nenad Rashiq për Ministër për Komunitete dhe Kthim teksa ka thënë se do ta dërgojë rastin në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.
Emërimi i Nenad Rashiq zgjoi edhe reagimin e Presidentit të Serbisë, i cili tha se ky emërim është “absolutisht i dënueshëm”, derisa Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, i dha edhe cilësime të rënda si “llum terrorist”.
E konfirmon raportimin e Gazeta Blic, Xhelal Sveçla: Sokol Halili ka kryer vetëvrasje


