Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak thotë se nuk ka hatërmbetje mes Borrellit dhe kryeministrit Kurti, raporton GazetaBlic.
“Nuk mendoj se ka hatërmbetje. Në fakt ky është takimi i dytë që z.Borell ka udhëhequr, i pari ishte më 18 gusht dhe u bë sërish për çështjen e targave dhe kartave të identitetit. Më pas çështjen e kartave të identitetit e zgjidhëm para fundit të gushtit dhe këtë herë, përsëri targat”, thotë Lajçak.
Lajcak thotë se në takimin mes Kurtit dhe Vuçiqit, BE-ja bëri dy propozime që sipas tij ishin serioze dhe shumë të balancuara.
“Pra, z.Borell natyrisht do të donte që liderët t’i ftonte për normalizim të marrëdhënieve, për çështje të mëdha dhe ai u detyrua të trajtojë çështje të menaxhimit të krizave. Për fat të keq, kjo ishte situata. Dhe gjatë atij tetë orëshi, BE-ja bëri dy propozime, shumë serioze dhe të balancuara. I pari ishte më gjithëpërfshirës. Dhe propozimi i dytë ishte i fokusuar në parandalimin e përshkallëzimit ose parandalimin e konfliktit. Fatkeqësisht, nuk pati marrëveshje që pranonte ndonjërin nga propozimet, e kjo do të thotë se e mbyllëm takimin me frikën se shumë shpejt mund të ketë përshkallëzim në terren. Dhe kjo gjë pastaj reflektoi në deklaratën e z.Borell”, thotë Lajçak.
Lajçak thotë se, është shumë e rëndësishme, që palët duhet ta kuptojnë se të gjitha marrëveshjet e kaluara të dialogut, duhet të zbatohen.
“Nuk mendoj se palët e kanë kuptuar ndryshe nga njëra – tjetra marrëveshjen. Marrëveshja është shumë e qartë, dhe u publikua si deklaratë nga përfaqësuesi i lartë z.Borell. Elementet kyçe të kësaj marrëveshje është që së pari, të dyja palët, Kosova dhe Serbia pajtohen që të shmangin eskalimin e situatës dhe të koncentrohen plotësisht në propozimin për normalizim të marrëdhënieve, që u prezantua në shtator 2022 nga unë. Kjo do të thotë, në praktikë që Serbia do të pushojë së lëshuari tabela të regjistrimit me denominime të qyteteve të Kosovës, dhe Kosova do të ndërpresë çdo veprim që lidhet me riregjistrimin e automjeteve, si gjoba apo konfiskim.Ajo që gjithashtu është shumë e rëndësishme, palët duhet ta kuptojnë se të gjitha marrëveshjet e kaluara të dialogut, duhet të zbatohen. Dhe çështjet që janë ende të hapura, përfshirë targat, do të trajtohen si pjesë e marrëveshjes së normalizimit, e cila do të trajtojë të gjitha çështjet e pazgjidhura”, tha Lajçak në Politiko.


