Lajme

Tahiri: Problemi është kryekëput tek dështimi i Qeverisë- Çfarë iu ka ofruar Albin Kurti zyrtarëve policor?

12/01/2022 17:21
nga:Genita C

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri thotë se deklarata e kryeministrit Kurti për numrin e pjesëtarëve të policisë, nuk qëndron, raporton GazetaBlic.

Përmes një shkrimi në “Facebook”, Tahiri thotë se problemi kryesor është tek dështimi i Qeverisë Kurti.

“Çfarë iu ka ofruar Albin Kurti zyrtarëve policor? Krejt të kundërtën. Degradim të gjithanshëm. Policë që s’kanë ligj për pensionim të parakohshëm, e as sigurime shëndetësore. Policë, për të cilët nuk ka as plan, as menaxhim e as funksion, përveç që të ruajnë portat e objekteve, si roje nate”, shkruan Tahiri.

Shkrimi i plotë:

Nuk është problemi tek numri i pjesëtarëve të policisë, siç deklaron kryeministri. Kosova ka rreth 465 policë për 100 mijë banorë, numër ky më i madh se mesatarja e krejt vendeve të rajonit, numër që tejkalon edhe formulën e vendeve të Bashkimit Evropian me 333 policë në 100 mijë banorë.

Nuk është problemi as tek shoqëria, mbi të cilën e kërkon fajin kryeministri, sepse shoqëria është produkt i vullnetit, e institucionet janë produkt i përgjegjësisë ndaj shoqërisë.

Problemi është kryekëput tek dështimi kapital i kësaj qeverie për të sjellë një perspektivë të qeverisjes së përgjegjshme, institucionet e të cilës nuk i lënë asgjë rastësisë e zyrtarët e të cilës, përveç që janë të përmbushur në rrafshin e meritokracisë e dinjitetit, janë të përgjegjshëm përballë përgjegjësisë.

Çfarë iu ka ofruar Albin Kurti zyrtarëve policor? Krejt të kundërtën. Degradim të gjithanshëm. Policë që s’kanë ligj për pensionim të parakohshëm, e as sigurime shëndetësore. Policë, për të cilët nuk ka as plan, as menaxhim e as funksion, përveç që të ruajnë portat e objekteve, si roje nate.

Policë që drejtohen me ushtrues detyre, sepse ministri është në kërkim të atij që i përgjigjet pushtetit, jo shtetit. Përgjegjës direkt i këtij krimi monstruoz, përveç autorit, është pikërisht dështimi kapital i qeverisë së Albin Kurtit, për ta bërë krejt të kundërtën e asaj çfarë ka bërë deri më tash.