Lajme

“Liberalizimi i vizave u përdor si mjet presioni politik në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi”

11/30/2022 18:33
nga:Y I

Ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, i kanë dhënë sot mandatin Këshillit Evropian që të negociojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën me Parlamentin Evropian, raporton Gazeta Blic.

Por një javë më parë, propozimi për liberalizimin e vizave ishte hequr nga agjenda e takimit të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së për shkak të situatës në Veri.

“Për shkak të zhvillimeve politike në veri të Kosovës, ta kemi këtë pikë në agjendën e Coreper-it [trupi i ambasadorëve] nuk është ideale”, tha presidenca çeke e BE-së në njoftimin për shtyrje raporton Gazeta Blic.

Megjithëse vazhdimisht ka patur deklarata nga BE-ja se këto dy procese nuk janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën, kjo ishte hera e parë kur zyrtarisht procesi i vizave u ndërlidh me gjendjen politike në Kosovë.

Njohësi i integrimeve evropiane, Arben Fetoshi, në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic” duke folur në lidhje me procesin e liberalizimit të vizave tha se kjo çështje është përdorur si mjet presioni politik në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Fetoshi duke komentuar vendimin pozitiv të marrë sot nga ambasadorët thotë se është një reflektim i BE-së nga frika e humbjes së kredibilitetit në rolin si ndërmjetës para fazës finale të dialogut.

“Nëse kemi parasysh konfirmimin e Komisionit nga viti 2018 për përmbushjen e kritereve dhe mbështetjen e përsëritur në vitet e fundit nga Parlamenti Europian, mund të përfundojmë se kjo çështje është përdorur si mjet presioni politik në kuadër të dialogut me Serbinë. Jam i bindur se marrja e vendimit në këtë kohë reflekton frikën e BE-së për humbje të kredibilitetit dhe kalkulimin për efektin pozitiv në rolin e saj si ndërmjetëse para fazës finale të dialogut Kosovë-Serbi” tha Fetoshi për “Gazeta Blic”

Fetoshi tha se dakoordimi i sotëm për vizat është hapi më i rëndësishëm që do të pasohet nga trialogu mes Këshillit, Parlamentit dhe Komisionit Europian për ndryshimin e rregullores.

Ai tha se ky është fillimi i përmbylljes së një padrejtësie ndaj qytetarëve të Kosovës.

“Dakordimi i sotëm i përfaqësuesve të përhershëm është hapi më i rëndësishëm për liberalizimin e vizave që do të pasohet nga trialogu mes Këshillit, Parlamentit dhe Komisionit Europian për ndryshimin e rregullores. Duke pasur parasysh vonesat, ky është fillimi i përmbylljes së një padrejtësie ndaj qytetarëve të Kosovës, të cilët me operacionalizimin e sistemit ETIAS ose më së largu nga 1 janar 2024 do të mund të lëvizin lirshëm në Zonën Schengen. Besoj se trialogu do të përfundojë shpejt dhe pas miratimit të sërishëm nga Parlamenti, vendimi do të finalizohet në Këshill. Kosova duhet të vazhdojë me përkushtim në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe në marrëveshjet e ripranimit me shtetet anëtare. Pas finalizimit të vendimit qeveria do të ketë kohë të mjaftueshme, por është tejet e rëndësishme që ta zhvillojë një fushatë të re vetëdijesimi për të drejtat dhe obligimet që nënkupton liberalizimi i vizave” deklaroi ai.


Arben Fetoshi

Edhe profesori universitar Muhamet Kelmendi tha për “Gazeta Blic” se procesi i liberalizimit të vizave ka qenë çdo herë i ndërlidhur me procesin politik me Serbinë.

Kelemendi tha se janë plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave që në vitin 2018, por ky proces u ndërlidh me dialogun Kosovën-Serbi sidomos pas vendosjes së taksës 100% për produketet serbe.

“Franca me disa shtete të UE-së po e ndërlidh liberalizimin e vizave me Asociacionin me pushtet ekzekutiv. Liberalizimi i vizave për Kosoven ka qene çdo herë e ndërlidhur me procesin politik me Serbinë. Pavaresisht pse është deklaruar e kundërta, sidomos Franca, Holanda dhe 5-a e UE-së, që nuk e kanë njohur shtetin e Kosoves, këtu e kan mbeshtetur liberalizimin e vizave. Kushtet per liberalizim janë plotesuar që në vitin 2018, asnjë element i kerkuar nga UE-ja per liberalizimin nuk ka mbetur pa u plotesuar. Sipas kësaj, është dashur në vitin 2018 të liberalizohen vizat për Kosoven. Ndërlidhja ka qene edhe para vitit 2018, mirepo, ka marrë hov pas këtij viti, në kohën kur nga Kosova u vendos taksa 100% dhe u kërkua që në ndermjetesim per dialog të largohet z Morgerini, si ndermjetese nga UE-a. Ky fakt e beri te qarte faktin pse nuk po behej liberalizimi”

“Në çdo vit është premtuar liberalizimi. Menjeherë pas dështimeve të planit për copëtimin e Kosovës, me asociacion me pushtet ekzekutiv, shtetet e UE-së te udhehequra nga Franca, paraqiten kushte abstrakte per liberalizim. Keshtu u nderlidhe liberalizimi me dialog. E ftuan edhe Prishtinen, si ne vitin 2018, ashtu edhe me vone, sot, qe te pranojne planet e UE. U paraqit dialogu dhe Asociacioni në fakte kryesore per liberalizim. Kot diskutohen kushtet, nuk ka gjë të paplotësuar. Mbetet vetem pajtimi per asociacionin me pushtet ekzekutiv, themelimi i Republikes Serbe, që te ecet me liberalizim te vizave” tha Kelmendi për “Gazeta Blic”


Muhamet Kelmendi

Lëvizja pa viza për qytetarët e Kosovës do të jetë e mundur kur të hyjë në fuqi sistemi evropian i udhëtimit, ETIAS, dhe data për këtë është 1 nëntori i vitit 2023.

Por, në rast se do të ketë vonesa për këtë sistem, liberalizimi i vizave për Kosovën do të hyjë në fuqi jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024.

/Gazeta Blic/

Liberalizimi i vizave për Kosovën do të hyjë në fuqi jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024

Ambasadorët e BE-së çojnë përpara procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën