Kombëtarja e Zvicrës dhe ajo e Serbisë do të përballen të premten me fillim nga ora 20:00.
Do të jetë kjo një ndeshje e veçantë për disa faktorë, sidomos për faktin se kjo përballje do të jetë vendimtare për kombëtaren që do të kalojë tutje.
Megjithatë, është botërisht e ditur se rëndësia e kësaj ndeshje është e lidhur edhe me dy futbollistët shqiptarë, Xherdan Shaqirin dhe Granit Xhakën që do të rikthehen të përballen me Serbinë.
Të gjithë e kujtojmë atë ndeshje fantstike nga dy futbollistët shqiptarë, atje ku e përmbysen rezultatin me golat e tyre dhe festuan me shqiponjën dykrenare.
Ka pasur provokime të mëdha nga serbët deri më tash, madje duke vendosur edhe një flamur në zhveshtore, atje ku harta e Kosovës shfaqet brenda flamurit të Serbisë, me FIFA-n që ka nisur procedurë disiplinore për këtë rast.
Para këtij takimi, ekskluzivisht për ‘GazetaBlic Sport’ nga Katari, ka folur gazetari i njohur zviceran, Lucas Werder. Ai po qëndron në vendin ku po zhvillohet Kupa e Botës dhe ka informacionet më të shpejta nga kampi i kombëtares helvete.
Ai tha se skuadra është e fokusuar tek ana sportive, por është e vërtetë se Xhaka dhe Shaqiri janë më të motivuar se zakonisht.
“Mendoj se skuadra është e fokusuar kryesisht në anën sportive të gjërave. Lojtarët nuk duan të flasin më për politikë. Edhe pse ata e dinë, sigurisht, se është një lojë e veçantë. Mendoj se Xhaka dhe Shaqiri do të jenë pak më të motivuar se sa janë zakonisht. Nëse e lejon kofsha, Shaqiri do të luajë që nga minuta e parë”, tha fillimisht ai.
I pyetur për flamurin provokues dhe skandaloz nga serbët që e vendosen në zhveshtore, ai tha se kjo nuk do të ketë ndikim në lojën e së premtës, duke ripërsëritur se e gjithë vëmendja është në fushë.
“Nuk mendoj se flamuri ka ndonjë ndikim në lojë. Ishte tashmë një lojë e veçantë për të dyja palët më parë. As nga ana e Zvicrës nuk kanë dashur të komentojnë flamurin. Lojtarët dhe stafi duken shumë të fokusuar te futbolli”, përfundoi Werder.
/GazetaBlic Sport/