Brazili siguroi kualifikimin në raundin e 1/8-ve në Katar 2022 pas suksesit minimal 1-0 ndaj Zvicrës, përballje ku Alex Sandro pësoi një dëmtim. Mbrojtësi i majtë i Juventusit, i cili në Botëror po bën shumë mirë ndryshe nga performancat me bardhezinjtë italianë, do të mungojë në takimin e fundit në grup ndaj Kamerunit.
Lajmin e ka dhënë mjeku i pesë herë kampionëve të botës, Rodrigo Lasmar, i cili foli rreth situatës së 31-vjeçarit. Anësori la fushën e lojës në minutën e 86’ në takimin Brazil-Zvicër. “Alex Sandro ndjen dhimbje në kofshën e majtë.
Ai zhvilloi sot një rezonancë magnetike, që konfirmoi tërheqjen muskulore. Alex do e ketë të pamundur të luajë ndaj Kamerunit, ai po trajtohet me kujdes për të qenë sa më shpejt në dispozicion të trajnerit Tite”, deklaroi mjeku brazilian.
Lasmar konfirmoi edhe mungesën e Neymar në takimin ndaj Kamerunit (2 dhjetor). Sulmuesi kryesor dëmtoi kaviljen në fitoren 2-0 ndaj Serbisë dhe mjeku i kombëtares “Seleçao” nuk specifikoi se kur 30-vjeçari do të rikthehet në fushë.