Kandidati nga Lëvizja Vetëvendosje për kryetar të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, ka thënë se Lista Serbe ka qenë kryekëput e lidhur me krimin e organizuar.
I ftuar në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, ai ka theksuar se në këtë parti ka njerëz që kanë likuiduar oponentë politikë.
“Ta keni parasysh se Lista Serbe ka qenë kryekëput e lidhur me krimin e organizuar. Këtë e thotë edhe Departamenti i Shtetit në listën që e ka publikuar për qytetarët e vendeve të huaja që e kanë të ndaluar të hyjnë në ShBA”.
“Sa mundemi të flasim për demokraci në një partie politike si Lista Serbe – aty ka njerëz të krimit të organizuar, njerëz që e kanë likuiduar një oponent të mëhershëm politik – të cilët hapur bëjnë kërcënime”.
Sipas tij, prej kur Lëvizja Vetëvendosje ka hyrë në pushtet, në veri të Kosovës po luftohet krimi i organizuar me intensitet të shtuar.
“Operacionet nuk kanë munguar as në të kaluarën, por nuk kanë qenë të këtij intensiteti”.
Tutje, ai ka shtuar se edhe pse serbët janë dorëhequr nga institucionet në shenjë proteste ndaj vendimit të Qeverisë Kurti për targat, gjykatat dhe institucionet e sigurisë janë duke punuar në kushte normale.
“Gjykatat punojmë me kapacitete normale – pak më të kufizuara – tre prokurorë janë zëvendësuar javën e kaluar. Prej institucioneve të sigurisë, ka zëvendësime, unë nuk po them që zëvendësimi është bërë 100 për qind sepse kjo kërkon kohë dhe duhet respektuar margjinat ligjore, mirëpo nuk ekziston ndonjë institucion i cili është në kolaps funksional”.


