Kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila mbajti fjalimin e saj në seancën e përbashkët të Kuvendit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë,
Ajo u shpreh se deputetët e të dyja kuvendeve, krijonin një pamje, siç tha ajo ‘impozante’.
Kusari-Lila tha se ajo ishte “pamja më e bukur në botë”.
“Një pamje impozante, pamja më e bukur në botë. Kolegët e mi deri më tani nuk treguan peshën e emocionit të ndjejmë ne nga Kosova që kemi ardhur për të mbajtur fjalim nga foltorja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”, u shpreh ajo.
Kusari-Lila përmendi edhe ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari e daljen e parë publike të UÇK’së që bien në të njëjtën datë të pavarësisë së Shqipërisë.
“Për më shumë se për formën kjo ditë dhe çdo ditë tjetër e angazhimit tonë duhet të jetë me përmbajtjen e punë edhe përpjekjeve tona për hapësirën tonë shqiptare. Për mua si një vajzë e lindur dhe e rritur në Gjakovë, e ushqyer me mësimet se kufiri përveçse i përkohshëm, asnjë status tjetër nuk e ka, nuk kam arritur asnjëherë të projektoj zhvillimin e Malësisë pa tërësinë e saj”, tha Kusari-Lila.


