Lajme

Ministrja Haxhiu mbron vendimin e Qeverisë për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve

11/27/2022 07:26
nga:Astrit Gashi

Derisa gjyqtarëve e prokurorëve po u bëhet thirrje të jenë më të ashpër në raport me dhunën mbi baza gjinore, atyre ditë më parë Qeveria e Kosovës përmes shfuqizimit të një vendimi, ua uli pagat.

Këtë vendim e mbrojti sot sërish ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, derisa shkresën e Këshillit Gjyqësor për shtyrjen e provimit të jurisprudencës ajo e ka quajtur lajm të keq.

Sipas saj, sistemi i drejtësisë duke menduar që po e godet Qeverinë është duke i goditur kandidatët.

“ Nuk është lajm i mirë dhe në radhë të parë kjo është në kundërshtim me interesat e kandidatëve të cilët kanë aplikuar për t’ju nënshtruar këtij provimi. Sistemi i drejtësisë duke menduar që po e godet Qeverinë është duke i goditur kandidatët, qytetarët e këtij vendi . Ne kemi marrë një shkresë nga ana e kryesuesit Zogaj që të shtyhet ky provim për shkak të situatës aktuale që ndërlidhet me vendimin e paligjshëm që Qeveria jonë e ka shfuqizuar sepse ishte i paligjshëm”, tha Haxhiu.