Lajme

Sejdiu: Kurti është në betejë me të kaluarën dhe të ardhmen

11/24/2022 23:05
nga:G B

Analisti politik Dardan Sejdiu ka thënë se kryeministri Albin Kurti është në betejë me të kaluarën dhe me të ardhmen.

Në emisionin Rubikon në Klan Kosova, ai ka shtuar se ajo çka ka proklamuar Kurti në të kaluarën, po i kthehet si diskutim sot dhe kështu tash është në njëfarë situate sfiduese.

“Këto gjëra tashmë po lexohen për shumë arsye sepse kanë ndërruar rrethanat gjeopolitike dhe të sigurisë në rajon”.

“E para, shpesh po flasim për 51 përqindëshin thuajse ky përqindësh është njëfarë blloku elektoral i cili mendon njëjtë si Kurti. Ky është njëfarë problemi sepse ata kanë votuar për diçka, por jo domosdoshmërish për këto sjellje të Kurtit”.

“E dyta, Albin Kurti është në betejë edhe me të kaluarën edhe me të ardhmen – është sandviç i keq ky për të”.

Sipas tij, ajo çfarë ka proklamuar dhe për të cilën ka folur në të kaluarën Kurti, po i kthehet si diskutim sot dhe kështu tash e ka një far situate goxha të çuditshme dhe goxha sfiduese për të se çfarë të ardhme ndërton.

“Mbi narracionin që e ka ndërtuar në të kaluarën se si do të duket e ardhmja me të si kryeministër apo mbi rrëfimin dhe strukturën e sigurisë në Evropë dhe Ballkan që ia imponojnë shtetet që kanë interesa komplet tjera”.

“Pra nuk merren fort me narracion populist të një kryeministri të 1.5 milionë banorëve, por merren me tema pak më të gjëra dhe serioze. Pra këto janë dy gjëra të cilat Kurti nuk mund t’i vendosë në të njëjtin shtrat”.