Lajme

Banorët e Fushë-Kosovës, tash e tri ditë pa furnizim me ujë

11/22/2022 20:37
nga:G B

Banorët e Fushë-Kosovës janë ankuar se që nga mesdita e së dielës nuk kanë furnizim me ujë.

Lidhur me këto ankesa, teve1.info ka kontaktuar me zëdhënësen e KRU “Prishtina”, Arjeta Mjeku. Por, ajo tha se furnizimi me ujë po vazhdon me orare.

Sipas saj, në raste kur uji arrin në katet e poshtme të ndërtesave, duhet lënë krojet të rrjedhin në mënyrë që uji i turbulluar të largohet.

“E kemi lëshu ujin në 17:00, pikat e poshtme sidomos deri në katin e 3 ose 4-të është në një pjesë dërrmuese të Fushë-Kosovës, por uji nuk po arrin te pikat larta në këso rastesh kur s’kanë ujë një kohë të gjatë duhet të lihet  që të rrjedhë në krojet e tyre. Duhet lënë të rrjedhë edhe kur ka punime, mungesë të ujit ua kemi cekë me dhjetëra herë ujin duhet me lënë me rrjedhe deri të kthjellet. Nuk është uji i kontaminuar, zalli dhe gypi që ka nejt deri të shpërlahet”, tha ajo.

Madje, Mjeku shton se nuk ka ndonjë problem në furnizimin me ujë për banorët e Fushë-Kosovës.

Sipas njoftimit të KRU Prishtina, në Fushë-Kosovë sot do të ketë furnizim me ujë duke filluar nga ora 17:00-22:00.

Por në një video siguruar nga teve1.info, shihet se ujë nuk ka as në ora 18:52. Videoja është realizuar në një banesë në rrugën “Arbëria” në katin e tretë.