Dje përfundoi pa një marrëveshje për targat, takimi në mes të kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq në Bruksel.
Gjobitja e veturave me targa ilegale serbe do të niste nga ora 08:00 e mëngjesit të ditës së sotme (e martë).
Por, situata ndryshoi disa orë para se të niste zbatimin kjo masë e Qeverisë.
Në orët e vona pas mesnate, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, kërkoi nga Qeveria e Kosovës që shtynte këtë vendim për 48 orë.
Kërkesa u mor parasysh nga i pari i Qeverisë, Albin Kurti.
20 minuta pasi kërkesën e publikoi në Twitter ambasadori amerikan, kryeministri Kurti iu përgjigj pozitivisht po ashtu përmes një postimi në Twitter, derisa dhe e falënderoi ambasadorin amerikan për përkushtimin e angazhimin.
“Unë e pranoj kërkesën e tij për shtyrje prej 48 orë të fillimit të gjobitjes për targa ilegale ‘KM’ (dhe tjera). Jam i lumtur të punoj me SHBA-në dhe BE-në për të gjetur një zgjidhje gjatë dy ditëve të ardhshme”, shkroi Kurti në Twitter.
Por, si e vlerësojnë këtë vendim njohësit e çështjeve politike?
Ish deputetja, Shqipe Pantina, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se nga Qeveria e kryeministri nuk janë dhënë informata për këtë shtyrje, andaj dhe nuk dimë se çfarë të presim.
“Qeveria dhe KM nuk kanë dhënë informata për shtyrjen për 48 orë të shqiptimit të gjobave për mos ndërrim të targave, prandaj nuk dimë as çfarë të presim”, thotë ajo.
Por, sipas Pantinës, është mirë që Kurti reflektoi më në fund dhe shpreson se ai tani e tutje nuk do të bëjë veprime të pamatura.

“Por është mirë që më në fund kryeministri reflektoi dhe dua të shpresoj se ai tash e tutje nuk do të bëjë veprime të pamatura e të sillet me arrogancë me aleatët tonë e SHBA-të në veçanti”, thekson ish deputetja për Gazeta Blic.
Pantina po ashtu thotë se beson që SHBA e ka gjetur mënyrën se si të komunikojë me Kurtin dhe ai do të veprojë në bazë të kërkesave të tyre.
“Unë po ashtu dua të besoj se ShBA tashmë e ka gjetur mënyrën e komunikimit me kryeministrin dhe kështu ai do t’i kuptojë më mirë kërkesat që i parashtrohen dhe do të veprojë me racionalitet sepse deri më sot Kosova nuk ka humbur kur ka vepruar sipas këshillave të aleatëve tanë, ShBA-ve në veçanti”, deklaron Shqipe Pantina.
Ndërsa, politologu Dorajet Imeri, për Gazeta Blic, thotë se shtyrja tregon ndjeshmërinë dhe duhet parë si mundësi për të gjetur zgjidhje.

“Kjo shtyrje tregon se Qeveria e Kosovës e ka parasysh ndjeshmërinë e vendimmarrjes. Shtyrja për dy ditë me kërkesë të Ambasadës Amerikane duhet vlerësuar si e qëlluar dhe si mundësi për të gjetur një zgjidhje afatshkurtër, kjo varet nga qëndrimi që palët do të konfirmojnë në çastet e fundit”, vlerëson ai.
Imeri shton se mund të ketë një zgjidhje që do të ishte shtyrja e afatit për targat, ndërsa të caktohet afati për nisjen e bisedimeve për marrëveshje gjithëpërfshirëse.
“Konsideroj se mund të ketë një zgjidhje të përkohshme e cila do të nënkuptojë shtyrjen e aplikimit të gjobave dhe afrimin e afatit kur do të nisin bisedimet për marrëveshjen gjithëpërfshirëse”, deklaron Dorajet Imeri./Gazeta Blic/


