Lajme

Shtyrja për 48 orë, nga BE flasin për GazetaBlic: Do ta shfrytëzojmë këtë kohë për bisedime për të gjetur zgjidhje

11/22/2022 17:33
nga:G B

Kosova ka vendosur që ta shtyjë për 48 orë zbatimin e gjobave për targat ilegale serbe.

Vendimi erdhi pas mesnatës nga kryeministri Kurti, pasi kërkesa për këtë erdhi nga ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier.

Lidhur me këtë, për Gazeta Blic ka folur zëdhënësi kryesor për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Peter Stano.

Ai ka thënë se BE do ta shfrytëzojë këtë periudhë për të vazhduar bisedimet me të dyja palët me synimin për të gjetur një zgjidhje.

“Kosova është pajtuar që të shtyjë vendosjen e gjobave për 48 orë. Ne do ta shfrytëzojmë këtë periudhë për të vazhduar bisedimet me të dyja palët me synimin për të gjetur një zgjidhje. Nëse anëtarësimi në BE është objektivi përfundimtar i Kosovës dhe Serbisë, për të cilin janë zotuar të dyja, ne presim që edhe ata të veprojnë në përputhje me rrethanat”, ka thënë ai.

Stano për Gazeta Blic ka folur edhe për takimin e djeshëm Kurti-Vuçiq në Bruksel, derisa ka thënë se BE i ka paraqitur dy propozime të balancuara kompromisi që do të kishin de-përshkallëzuar situatën aktuale, për të cilat nuk pati pajtime.

“Borrell dhe Lajçak, pritën kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiç më 21 nëntor për një takim urgjent për të zbutur përshkallëzimin e afërt në veri të Kosovës për një mosmarrëveshje mbi targat. Gjatë takimit, lehtësuesi i BE-së paraqiti dy propozime të balancuara kompromisi që do të kishin de-përshkallëzuar situatën aktuale. Fatkeqësisht, ende nuk është arritur marrëveshje për shkak të mosmarrëveshjeve ndërmjet palëve. Borrell u bëri thirrje palëve që të përmbahen nga çdo masë që mund të përshkallëzonte situatën në terren dhe kujtoi se ai priste që palët të angazhoheshin në mënyrë konstruktive për të arritur një marrëveshje”, ka deklaruar Peter Stano./Gazeta Blic/