I akuzuari Q.H, është deklaruar i pafajshëm se në janar të 2020-ës shkaktoi aksident, ku si pasojë e goditjes me automjet lëndime të rënda trupore pësoi këmbësori H.S.
Një deklarim të tillë, i akuzuari Q.H, e ka bërë të martën në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Viti, në seancën fillestare, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Huma Jetishi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Nuk jam fajtor, vet me ka dal në mes të rrugës, fati i mire që kam qenë duke vozit ngadalë 20 km në orë, dhe nuk ka pësu lëndime të rënda”, ka thënë i akuzuari.
Gjykatësja Blerina Ramadani, e njoftoi të akuzuarin, se në afat prej 30 ditësh kanë të drejtën për kërkesë lidhur me hudhjen e aktakuzës, provat në aktakuzë dhe ligjshmërinë e saj.
Ndryshe, në seancë prezantuan edhe i dëmtuari H.S, së bashku më përfaqësuesin e tij sipas autorizimit avokatin Skender Shefkiu.
Sipas aktakuzës së ngritur në dhjetor të 2020-ës nga Prokuroria Themelore në Gjilan, Q.H. po akuzohet se më 29 janar 2020, rreth orës 17.30, në aksin rrugor Vërbovc-Gjylekare, Komuna e Vitisë, pandehuri duke drejtuar automjetin e markës ” Audi 89″, me tabela regjistrimi 06-145 AO, nga pakujdesia ka rrezikuar jetën e njerëzve dhe pasurin e tyre, në atë mënyrë që, duke mos përshtatur shpejtësinë e lëvizjes kushteve dhe fushëpamjes në rrugë, duke mos kryer detyrimet e shoferit për lëvizje me kujdes të shtuar në rrugë rurale dhe ngasje me kujdes të veçantë ndaj këmbësoreve, ku një veprim i tillë është në kundërshtim me nenin 41 par.1, nenin 53 par. 1 t₴ LRRTRRK-së, në atë mënyrë që i pandehuri përderisa ishte në lëvizje në rrugën Verbovc-Giylekare, me të arritur afër varrezave të fshatit, me pjesën e përparme të anës së djathtë të automjetit të tij e godet këmbësorin H.S, i cili po ecte në anën e djathte te skajit të rrugës në raport me drejtimin e automjetit.
Në aktin akuzues thuhet se si pasoje e këtij aksidenti, lëndime të rënda trupore pëson i dëmtuari H.S, sipas raporteve mjekësore nga Shtëpia e Shëndetit në Viti nr. 35/889 të dt.29.01.2.020, nr.2394 të dt. 29.01.2020 nga Spitali Rajonal i Gjilanit , raport specialistik ortopedik nga Poliklina “zeka” i dt.29.02.2020 he raporti mjekësor nga Klinika e Ortopedise në Gilan i dt. 09.03.2020 me nr.prot 964 i dt.09.03.2020 që sipas ekspertizës mjekoligjore konstatohen si dëmtime të rënda trupore.
Me këtë, Q.H, po akuzohet se ka kryer veprën penale “Rrezikim i trafikut publik”, nga neni 370, paragrafi 8 dhe 6, e lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.


