Lajme

VV i kundërpërgjigjet Borrellit: Kryeministri Kurti e ka respektuar dialogun, jemi për diskutime për marrëveshje finale me njohje reciproke

11/21/2022 19:19
nga:G B

Nuk është arritur marrëveshje për targat në Bruksel.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell e ka fajësuar Kosovën për këtë, derisa ka thënë se Kurti nuk e pranoi propozimin e tyre për shtyrjen e vendimit për targat.

Ai madje ka thënë se do t’i njoftojë vendet anëtare të BE-së se Kosova nuk po e respekton dialogun.

Ndërsa, kryeministri Albin Kurti ka thënë se ka qenë Borrell ai që ka refuzuar që të diskutohet për normalizim të plotë të marrëdhënieve dhe se propozimi për targa ka qenë i papranueshëm nga ana e Kosovës.

Lidhur me takimin e sotëm dhe deklaratat e Borrell, për Gazeta Blic ka folur deputeti i VV-së, Agon Batusha.

Ai thotë se Kurti e ka respektuar plotësisht dialogun dhe ka kontribuar në mënyrë konstruktive për të gjetur zgjidhje përfundimtare me normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Kryeministri i Republikës sonë ka respektuar në plotëni dialogun, duke ju përgjigjur secilës ftesë dhe duke kontribuar në mënyrë konstruktive për të gjetur zgjidhje përfundimtare me normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, në respektim të integritetit territorial, sovranitetit dhe kushtetueshmërisë së Republikës së Kosovës”, vlerëson ai.

Batusha thekson se kryeministri nuk po bën “asgjë më pak e as më shumë se sa përfaqësim dhe mbrojtje e interesave shtetërore të Kosovës”.

Deputeti shton për Gazeta Blic se Qeveria, kryeministri dhe VV janë të gatshëm për të diskutuar për një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare që në qendër ka njohjen reciproke dhe se çdo dialog do të duhej të çonte drejt kësaj.

“Qeveria e Kosovës, kryeministri dhe ne jemi të gatshëm që të diskutojmë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare që në qendër ka njohjen reciproke. Çdo dialogim do duhej të na dërgonte drejt kësaj marrëveshje dhe jo të bëhet dialog që minon dialogun apo procesin për këtë marrëveshjen gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare”, potencon Batusha.

“Rend dhe ligj, barazi e drejtësi – janë vlera evropiane, parime shtetërore dhe zotime tona. Kësaj do t’i qëndrojmë”, deklaron deputeti i VV-së, Agon Batusha./Gazeta Blic/