Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që ta shtyjë afatin për aplikim për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve për zgjedhjet në katër komunat veriore, nga 21 nëntori deri më 28 nëntor.
KQZ-ja vendimin e ka marrë në mbledhjen elektronike që ka mbajtur sot.
Zëdhënësi i këtij institucioni, Valmir Elezi një deklarim për medie, ka thënë se ky afat do të shtyhet deri më 28 nëntor 2022.
“Sipas vendimit të KQZ-së, afati për aplikim për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve i paraparë të përfundojë më 21 nëntor është shtyrë deri më 25 nëntor 2022. Rrjedhimisht, është shtyrë edhe afati për vendimmarrjen e KQZ-së për certifikimin ose jo të subjekteve politike dhe kandidatëve nga 26 nëntori në 28 nëntor 2022. Po ashtu, KQZ-ja ka ndryshuar edhe afatin për emërimin e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve në katër komunat ku do të mbahen zgjedhjet. Sipas vendimit të KQZ-së ky afat do të shtyhet deri më 28 nëntor 2022”, ka thënë Elezi.
Ndërkohë sa i përket aplikimit, KQZ-ja ka njoftuar se deri tash ka pranuar vetëm dy kërkesa. PDK-ja ka dorëzuar kërkesat dhe kandidatët për katër komunat veriore, ndërsa Iniciativa Qytetare Mitrovica ka dorëzuar kërkesën për të garuar në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në Mitrovicën e Veriut.
Zgjedhjet në Mitrovicë të Veriut, Zubin Potok, Leposaviq e Zveçan, do të mbahen më 18 dhjetor.


