Prokuroria Themelore e Mitrovicës po kërkon nga Gjykata e Apelit, ashpërsim të dënimit ndaj të dënuarve Ferat, Betim dhe Lirim Mustafa, me 18 vite e 2 muaj burgim, për rrahjen e Remzi Hasanit vitin e kaluar në Vushtrri, ndërsa mbrojtja ricilësimin e veprës penale, duke kërkuar kështu dënim më të butë.
Tre të akuzuarit, Gjykata Themelore në Mitrovicë, më 6 qershor 2022, i ka dënuar 18 vite e 2 muaj burgim, pasi gjykata ka bërë ricilësimin e veprës penale nga “Vrasje në tentativë” në “Lëndimi i rëndë trupor”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ankesë kundër këtij aktgjykimi, ka parashtruar edhe mbrojtësi i të dëmtuarit, Remzi Hasani, avokati Gani Rexha, i cili në seancën e së hënës para kolegjit të Apelit, kërkoi dënim më të ashpër ndaj të akuzuarve.
Në anën tjetër, Prokuroria me ankesë ka kërkuar ricilësimin e veprës nga “Lëndim i rëndë trupor” në “Tentim vrasje” .
Ndërsa, mbrojtësit e të akuzuarve Lirim dhe Ferat Mustafa, avokatët Mahmut Halili dhe Emine Kaqiku, kërkuan ricilësimin e veprës penale nga “Lëndimi i rëndë trupor” në “Lëndim të lehtë trupor”.
Ndërkaq, mbrojtësi i të akuzuarit Betim Mustafa, avokati Shyqyri Syla, në ankesë kërkoi të bëhet ricilësimi i veprës penale në “Pjesëmarrje në rrahje”.
“Dënimi i shqiptuar është shumë i rëndë, gjykata e shkallës së parë rrethanat lehtësuese i ka nënvlerësuar dhe nuk i ka çmuar ashtu siç kërkon ligji”, ka shtuar avokati Syla.
Prokuroria e Apelit ka kërkuar nga gjykata që të aprovohet ankesa e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, ndërsa të refuzohen si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve.
Sipas aktgjykimit, i akuzuari i parë Ferat Mustafa u dënua me 6 vite e 6 muaj burgim, i akuzuari i dytë Betim Mustafa me 5 vite e 6 muaj burgim, ndërsa i akuzuari i tretë Lirim Mustafa me 6 vite burgim.
Ndërsa, gjykata me vendim të veçantë të akuzuarve u ka vazhduar masën e paraburgimit deri pas arritjes së plotëfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, të akuzuarit Ferat, Betim dhe Lirim Mustafa, akuzohen se më 25 gusht 2021, rreth orës 13:00 në Vushtrri, në parkingun e marketit “ETC”, me marrëveshje paraprake me dashje kanë filluar kryerjen e veprës penale të vrasjes ndaj të dëmtuarit Remzi Hasani, e të cilën nuk e kanë përfunduar.
Sipas aktakuzës, rasti kishte ndodhur në atë mënyrë që pas një zënke që i dëmtuari Remzi kishte pasur rreth orës 10:00 të së njëjtës ditë në fshatin Reznik me fëmijët e familjes së të pandehurve, ku i dëmtuari ishte duke lëvizur me veturën e tij “Renault”, i njëjti kishte pretenduar se ishte bllokuar rruga nga lopët e këtyre fëmijëve.
Tutje, thuhet se rreth orës 13:00 tre të pandehurit me pretekstin se ishin ofenduar nga i dëmtuari, të njëjtin e përcjellin duke shkuar me veturën e tyre “Passat” deri tek marketi “ETC”, ku aty pasi që i dëmtuari del nga marketi, mu përpara hyrjes, i pandehuri Ferat në mënyrë të befasishme e godet nga prapa me grusht disa herë në kokë të dëmtuarin, ku pastaj bashkëngjiten edhe dy të pandehurit tjerë Betim dhe Lirim Mustafa.
Gjithnjë sipas aktit akuzues, që të tre e godasin nëpër pjesë të ndryshme të trupit të dëmtuarin, duke e rrëzuar për toke. I pandehuri Lirim me shufër metalike e godet në pjesë të ndryshme të trupit dhe në kokë, pastaj i pandehuri Ferat ja merr nga dora shufrën metalike të pandehurit Lirim dhe vazhdon ta godas nëpër trup dhe e shqelmojnë për së shtriri, e godasin në kokë dhe pjesë tjera të trupit.
Duke qenë se i njëjti nuk po lëvizte, thuhet se të pandehurit të bindur se e kanë privuar nga jeta largohen nga vendi i ngjarjes.
Ndërkohë që i dëmtuari për shkak të gjendjes së rëndë, thuhet se transferohet në QKUK në Prishtinë ku rezulton se i njëjti ka pësuar: frakturë multifragmentare të parakrahut të majtë S52, thyerje të nervit median dhe redial të dorës, gjakderdhje dhe prania e ajrit në mes kraharorit dhe indit mushkëror në pjesën e pleurës të anës së djathtë S27.2PPT, frakturë serike të brinjëve IV, V, VI djathtas, frakturë të shpatullave në të dy anët, frakturë e zgjatimit transverzal të vërtebrave, majtas L1, L2, dhe L3, hematome nënlëkurore të shumta në trup.
Me këtë, ngarkoheshin se kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” e mbetur në tentativë, nga neni 173, par.1, nënpar. 1.4 lidhur me nenin 28 e 31 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi
Vetëvendosje kërkon shtyrjen e afatit për regjistrim në zgjedhjet në Veri


