Një ditë para mbajtjes së takimit në Bruksel në mes të kryeministrit të Kosovë, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, Policia e Kosovës njoftoi se sipas vendimit të Qeverisë, masa e gjobitjes së shoferëve për veturat me targat ilegale serbe do të nis me 22 nëntor dhe jo me 21 siç ishte paraparë.
Ndërsa, BE e quajti “urgjent” takimin e nesërm që do të mbahet, teksa njoftoi se fillimisht do të ketë takime ndaras me Kurtin e Vuçiçin, ndërsa më pas dhe takim të përbashkët.
Lidhur me këtë shtyrje, për Gazeta Blic, janë deklaruar nga AAK.
Zëdhënësi për informim i kësaj partie, Lulëzim Blaka, ka thënë se AAK ka dalë me propozim për rikthimin në normalitet të situatës në veri dhe gjithë Kosovën.
“AAK ka dalë më një propozim prej 4 pikash, për të rikthyer situatën në normalitet, jo vetëm në veri, por në gjithë Kosovën”, tha ai.
Sipas tij, në këtë propozim pika e parë thotë se Qeveria duhet menjëherë ta shtyjë vendimin për targat deri në marrëveshje finale dhe mbetet po ai qëndrim.
“Në pikën e parë theksohet se “Qeveria e Republikës së Kosovës të marrë vendim menjëherë për shtyrje të vendimit për targa deri në marrëveshje finale”. Ky mbetet qëndrimi jonë për këtë çështje”, ka deklaruar Lulëzim Blaka./Gazeta Blic/


