Lajme

Krasniqi pritet në Këshillin Atlantik, flet për synimet integruese të Kosovës

11/19/2022 17:40
nga:Y I

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka njoftuar se ka përmbyllur vizitën zyrtare në Washington DC, raporton Gazeta Blic.

Krasniqi ka bërë të ditur se këtë vizitë e ka përmbyllur me një takim në selinë e Këshillit Atlantik.

Ai ka bërë të ditur se me Drejtorin e Qendrës Evropiane, Jörn Fleck, dhe zyrtarë të tjerë të Këshillit Atlantik, kishim një diskutim të hapur lidhur me sfidat politike, ekonomike dhe ato të sigurisë, nëpër të cilat po kalon vendi dhe rajoni ynë.

Postimi i plotë:

Vizitën zyrtare në Washington DC e përfundova me një takim shumë të mirë në selinë e Këshillit Atlantik.

Si një ndër organizatat amerikane më me ndikim në fushën e çështjeve ndërkombëtare, Këshilli Atlantik është i përkushtuar në formësimin e një të ardhmeje më prosperuese dhe më të sigurt globale.

Në këtë kontekst, me Drejtorin e Qendrës Evropiane, Jörn Fleck, dhe zyrtarë të tjerë të Këshillit Atlantik, kishim një diskutim të hapur dhe përmbajtësor lidhur me sfidat politike, ekonomike dhe ato të sigurisë, nëpër të cilat po kalon vendi dhe rajoni ynë.

Edhe këtu, unë shpreha qëndrimin dhe synimin e paalternativë të popullit të Kosovës për anëtarësimin e vendit tonë në Bashkimin Evropian, NATO dhe OKB.

Së bashku me miqtë tanë në SHBA, nëpërmjet bashkëpunimit dhe ideve të përbashkëta, ne do të angazhohemi për hartimin e strategjive të mirëfillta politike në kuadër të vizionit tonë për të ndërtuar një vend më të lirë, më të sigurt dhe më prosperues!