Lajme

Deputetja e PDK-së kundër zgjedhjeve: Nuk janë zgjidhje, Kurti le ta dërgojë deri në fund vullnetin e qytetarëve

11/19/2022 14:35
nga:G B

Deputetja e PDK-së, Arian Musliu-Shoshi, ka folur për mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje.

Ajo në një intervistë për Gazeta Blic, ka thënë se zgjedhjet nuk janë zgjidhje.

Musliu-Shoshi ka deklaruar se opozita edhe po të dojë nuk mund ta rrëzojë Qeverinë, pasi nuk i ka numrat, por që as nuk do të duhej të kishte zgjedhje të jashtëzakonshme në këtë kohë.

“Nuk mendoj se zgjedhjet e jashtëzakonshme janë zgjidhje. Ne jemi opozitë që ka më pak se 50 për qind dhe edhe në duam, nuk i kemi votat që ta rrëzojmë këtë Qeveri. Opozita, jo vetëm në Kosovë por në gjithë botën është e gatshme gjithmonë për zgjedhje, mirëpo këto nuk janë zgjidhje në këtë moment për vendin tonë. E dimë që përpos politikës së jashtme kemi edhe shumë probleme tjera dhe qytetarët tanë nuk e meritojnë edhe një trazirë më shumë që të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme. Qytetarët tanë me vullnet të plotë ia kanë besuar këtë detyrë kryeministrit Kurti, me mbi 50 për qind dhe ky vullnet i tyre duhet të shkojë deri në fund dhe kryeministri ashtu siç ka premtuar me politikat e tij, duhet që ta ketë mandatin 4 vjeçar”, ka thënë deputetja e PDK-së./Gazeta Blic/