Lajme

Profesori i UP-së u shkruan letër publike deputetëve të Kosovës: Kërkon më shumë para për Universitetin

11/16/2022 10:22
nga:G B

Profesori universitar, Blerim Rexha ka publikuar në llogarinë e tij në facebook një letër të hapur drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Sipas tij, duhet të rritet buxheti i Universitetit Publik të Prishtinës “Hasan Prishtina”

Sipas profesorit universitar, pavarësisht se buxheti i Kosovës ka shënuar rritje, ai i UP-së ka mbetur konstant.

I njëjti edhe ka shtruar pyetje se si ka mundësi që Kosova të përparoj pa UP-në?

“Edhe pse buxheti i Kosovës ndër këto vite gati u katërfishua (që është shumë mirë) buxheti i UP-së mbeti po thuajse konstant, rreth vlerës 30 Milionë Euro! Si ka mundësi që Kosova të përparoj pa UP-në? Nga ky iluzion? Ministrja znj. Arbërie Nagavci do të thotë që e kemi rritë buxhetin total për arsim, që është po ashtu shumë mirë dhe e pritur, por pse nuk po rritet edhe buxheti i UP-së?”,ka shkruar ai në facebook.

Rexha ka sqaruar edhe arsyen se pse nuk mjafton buxheti i UP-së. Ai e sheh si të drejtë pakënaqësinë që studentët dhe prindërit kanë karshi UP-së.

“Me këtë buxhet gjithmonë do të jetë ky rezultat, dhe meqenëse kërkesat ndaj universiteteve po rriten gjithandej por edhe universitetet konkurrente po shtojnë energjitë (buxhetin) e tyre për të rritur cilësinë dhe për tu renditur më mirë, me buxhet konstant situata e UP-së vetëm sa do të përkeqësohet”, ka shkruar Rexha në facebook.

Ai ka publikuar edhe një listë se çka sipas tij i duhet UP-së:

Lista e aktiviteteve mund të jetë e gjatë dhe kërkon kreativitet dhe prioritet, por qe çka do të mund të bënte Rektori i ardhshëm i UP-së me buxhetin shtesë:

1. Angazhim për më shumë staf të ri – sidomos për ata të doktoruar nga top universitete. Me shumë staf do të thotë edhe përmirësim i metrikes student/profesor dhe cilësisë së punës me studentë,

2. Me shumë mbështetje për pjesëmarrje në projekte rajonale dhe ndërkombëtare,

3. Incentiva direkte për bashkë- publikime me universitete ndërkombëtare, sidomos me ato top të renditura,

4. Mbështetje më të madhe për programet e doktoratës (të cilat janë drejt shuarjes),

5. Mbështetje për organizmin e konferencave shkencore ndërkombëtare nga UP-ja,

6. Mbështetje më të madhe për profesor vizitor,

7. Përmirësim i infrastrukturës fizike në krejt UP-në. Disa salla mësimi nuk janë renovuar që nga ndërtimi.

8. Ndërtimi i infrastrukturës së re, për fakultete dhe programe të reja,

9. Shtimin e bashkëpunimit me industrinë sidomos me shumëfishimin e qendrave inovative,

10. E shumë të tjera.