Deputetja Duda Balje sot në një postim në Facebook ka thënë se policja Milhata Qela është duke u ngacmuar psikologjikisht nga komandanti i stacionit policor të Graçanicës, Bratislav Trajkoviq.
Lidhur me këtë nga IPK kanë thënë se nuk kanë gjetur elemente të veprës penale.
“Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve lidhur me rastin në fjalë është njoftuar përmes Linjës së Kaltër (numri i telefonit pa pagesë 0803333) dhe bazuar në informacionet e pranuara ka filluar të ndërmerr veprime hetimore lidhur me pretendimet e ankueses.
Veprimet hetimore përveç tjerash kanë përfshirë deklaratën nga ankuesja si dhe raporte të ndryshme nga zyrtarët policorë që janë konsideruar dëshmitarë në këtë rast.
Pas zhvillimit të hetimit preliminar, lidhur me të gjeturat IPK është konsultuar me prokurorinë kompetente dhe pasi që nuk janë gjetur elemente të veprës penale rasti është proceduar në Policinë e Kosovës më saktësisht në Drejtorinë për Hetime të Brendshme dhe Verifikim të së Kaluarës, për hetime të mëtutjeshme administrative – disiplinore”, thuhet në përgjigjen e IPK-së për Express.


