Lajme

Në mungesë të përfaqësuesit të paditëses, konsiderohet e tërhequr padia në rastin ku paditësja po kërkon anulimin e konkursit nga DKA

11/15/2022 13:58
nga:G B

Për shkak të mungesës së përfaqësuesit të paditëses M.M, avokatit Visar Musa, është konsideruar e tërhequr padia, në rastin ku paditësja ka kërkuar anulimin e konkursit për pozitën mësimdhënëse e programit fillor, të shpallur nga Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA), në Viti.

Gjyqtari i çështjes Raif Fazliu konstatoi se në shkresat e lëndës gjendet fletëdorëzimi që vërteton se përfaqësuesit të autorizuar të paditësit, avokatit Musa, i është dorëzuar ftesa për pjesëmarrje në seancën e sotme, megjithatë i njëjti nuk është paraqitur.

Përfaqësuesi i të paditurës, Komuna e Vitisë, Ekrem Shabani kërkoi nga gjykata që padinë ta konsiderojë të tërhequr, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas kësaj, gjykatësi Fazliu, konform dispozitave ligjore të Ligjit të Procedurës Kontestimore, e ka konsideruar të tërhequr padinë e paditësit në këtë çështje kontestimore.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 10 dhjetor 2021, paditësja M.M, kërkonte anulimin e konkursit dhe procedurës së rekrutimit për përzgjedhjen e mësimdhënëses  së lëndës së Gjeografisë  dhe mësimdhënës i lëndës “Të drejtat e njeriut”, në SHLM “Kuvendi i Lezhës” në Viti.

Në padi thuhet se DKA në Viti, më 30 qershor 2021, kishte hapur konkurs për pozitën mësimdhënës i lëndës së Gjeografisë në SHLM “Kuvendi i Lezhës” në Viti, dhe mësimdhënës  i lëndës “Të drejtat e njeriut”, po në këtë shkollë në të cilin konkurs siç thuhet në padi kishte aplikuar edhe paditësja.

Sipas padisë, me rastin e aplikimit në pozitat e konkursit, paditësja i kishte plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara, por e njëjta nuk ishte pranuar.

Tutje, në padi thuhet se paditësja kishte paraqitur ankesë kundër raportit të vlerësimit të Komisionit për vlerësim, por ankesa e saj ishte refuzuar.

Paditësja, përmes padisë pretendonte se për kandidatë ishin propozuar persona të cilët nuk i përmbushnin kushtet e konkursit dhe kishin kualifikim më të ulët se ajo.

Mbi këto rrethana, paditësja kërkonte nga gjykata që padia dhe kërkesa e saj të aprovohen si të bazuara, ashtu që kishte kërkuar që të anulohet procedura e rekrutimit sipas konkursit të shpallur nga Komuna e Vitisë, si dhe të detyrohet e paditura që paditëses t’ia kompensojë pagat mujore konform kualifikimit profesional sipas pagesës së mësimdhënësve deri në ditën e fillimit të punës në vendin e punës me kamatë ligjore prej 8 % nga dita e shpalljes së rezultateve përfundimtare si dhe shpenzimet e procedurës.