Kupa e Botës 2022

Hansi Flick flet para fillimit të Kupës së Botës: Në Gjermani ka gjithmonë shumë presion, kemi një grup të vështirë

11/15/2022 10:50
nga:Mergim Rreci

Kupa e Botës në Katar do të jetë gara e parë e madhe për Hans Flick në krye të kombëtares së Gjermanisë.

Në një intervistë për gazetën Marca, trajneri gjerman, i cili në maj 2021 zëvendësoi Joachim Low si trajner, foli për presionin ndaj ekipit pas pjesëmarrjes në Kupën e Botës 2018, në të cilën Gjermania u eliminua në fazën e grupeve, përcjell GazetaBlic Sport.

“Në Gjermani ka gjithmonë shumë presion dhe pritshmëritë janë gjithmonë të larta para çdo turneu. Kjo ka të bëjë më pak me paraqitjen e dobët në Botërorin e kaluar, por më shumë me sukseset e mëdha të së shkuarës. Ne nuk ndjejmë asnjë presion të jashtëm, kam një kërkesë maksimale personale.”

Për grupin ku do të përballen me Spanjën, Kosta Rikën dhe Japoninë: “Nuk e di nëse është grupi më i vështirë, është gjithmonë e vështirë ta bësh këtë analizë para turneut, por në fakt është një grup i vështirë. Një sfidë e vërtetë”, përfundoi Flick.

/GazetaBlic Sport/