Lajme

Dy avionë ushtarakë përplasen mes vete në Dallas (VIDEO)

11/13/2022 09:18
nga:Astrit Gashi

Dy avionë ushtarakë janë përplasur gjatë një shfaqjeje ajrore në qytetin amerikan të Dallasit.

Avionët – një bombardues B-17 Flying Fortress dhe një gjuajtës P-63 Kingcobra – u përplasën me njëri-tjetrin rreth orës 13:20 me orën lokale.

Ata ishin pjesë e shfaqjes Përkujtimore të Forcave Ajrore “Wings Over Dallas”, që po mbahej rreth 10 milje nga qendra e qytetit.

Zyrtarët nuk kanë thënë se sa njerëz ishin në bord, por B-17 zakonisht mban një ekuipazh prej katër ose pesë personash, ndërsa Kingcobra ka një pilot të vetëm.

Përplasja do të hetohet nga Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit, me një ekip që pritet të mbërrijë më vonë gjatë ditës së sotme, raporton SkyNews.

Ka pasur një numër përplasjesh fatale në shfaqjet ajrore në SHBA vitet e fundit. 11 persona u vranë në vitin 2011 në Reno, Nevada, pasi një P-51 Mustang u përplas.