Mbrojtësi i të akuzuarit Hysri Peqani i njohur si “Burdushi”, avokati Durim Osmani ka kërkuar ndërprerjen e seancës për shkak se nuk ka qenë mirë me shëndet.
Trupi gjykues ka aprovuar propozimin për ndërprerjen e seancës.
Ndryshe në këtë seancë ka qenë e paraparë që i akuzuari Peqani të japë mbrojtjen e tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kryetari i trupit gjykues gjykatësi Lutfi Shala, në fillim të seancës ka bërë të ditur se në seancën e kaluar është dëgjuar eksperti financiar Ramiz Ferizi dhe se avokati Osmani ka paraqitur me parashtresë vërejtjet lidhur me deklaratat e ekspertit.
Sa i përket vërejtjeve lidhur me ekspertizën financiare, prokurorja speciale Merita Bina-Rugova ka thënë se sipas saj ekspertiza është shumë profesionale dhe ka ndonjë vërejtje po ashtu sipas saj eksperti ka dhënë përgjigje për secilën vërejtje nga ana e mbrojtjes.
“Çdo fitim i cili derivon nga provat e paraqitura nuk mund të konsiderohet si fitimi legal” ka shtuar prokurorja Bina –Rugova.
Ndërsa avokati Osmani ka deklaruar se vërejtjet e tyre lidhur me ekspertizën janë serioze dhe vërehen se ekspertiza është jo e plotë dhe e mangët si dhe në kundërshtim me provat dhe gjendjen faktike.
“Ne mbetemi pranë propozimit që si prova materiale të administrohen tetë provat të cilat i kemi parashtruar dhe elaboruar me parashtresën e 21 tetorit 2022”, ka thënë avokati Osmani.
Trupi gjykues e ka aprovuar propozimin e avokati Osmani që të administrohen si prova materiale tetë provat e si në parashtresën e lartcekur.
Seanca e radhës është caktuar me 23 dhjetor.
Sipas aktakuzës, prej kohës së pavërtetuar e së paku nga koha e regjistrimit të biznesit privat ordinanca “Burdushi”, me aktivitetin primar, aktivitetet e tjera të shëndetit të njeriut, më 15 qershor 2005 e deri më 26 korrik 2019, në Prizren, i akuzuari Hysri Peqani-Burdushi, ka mjekuar persona të ndryshëm anë të paraqitjes së rreme të fakteve se kinse posedon aftësi mbinatyrore.
Një gjë të tillë, sipas aktakuzës, e ka bërë ndonëse nuk kishte kualifikime profesionale mjekësore dhe pa licencë përkatëse.
Prokuroria po pretendon se Peqani e kishte bërë një gjë të tillë me qëllim të përfitimit të pasurisë në mënyrë të kundërligjshme.
Në aktakuzë thuhet se i njëjti, të dëmtuarve iu ka kryer trajtime të improvizuara, të kota duke i vënë në lajthim dhe duke i nxitur që për këtë t’i paguajnë shuma të ndryshme të parave nga 20 euro deri në më shumë se 3 mijë euro, ashtu që kjo vepër penale e vazhduar ka rezultuar me dobi pasurore të kundërligjshme prej rreth 1 milion euro.
Për këto, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike” nga neni 262, paragrafi 1 i KPRK-së lidhur me veprën penale mashtrimi në vazhdimësi nga neni 335, paragrafi 5 të Kodit Penal.
Prokuroria Speciale e ngarkon të akuzuarin Peqani edhe me veprën penale të “Armëmbajtjes pa leje”, pasi që sipas aktakuzës, gjatë kontrollit të policisë në shtëpinë e tij në Prizren, janë gjetur armë, pistoletë e tipit “Girsan” si dhe pushkë gjuetie të tipit “Super Campion”.
Prokuroria pretendon se “Burdushi”, me qëllim të fshehjes së pasurisë së fituar përmes aktiviteteve kriminale, duke filluar nga viti 2006, paratë e tilla i ka futur në sistem bankar me arsyetimin se kështu i paguan këstet e kredive e më pas e ka kryer fshehjen e tyre përmes transferove bankare , ashtu që në fund i ka integruar duke i konvertuar në asete të luajtshme dhe të paluajtshme.
Për këto veprime ai akuzohet për veprën penale të “Shpëlarjes së parave” nga neni 302 të KPRK-së lidhur me nenin 32, paragrafi 1 dhe 2, nënparagrafi 2.1 të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit.


